Ilustrim

Donacionet me vaksina të refuzuara nga MSh ishin nga Polonia dhe Çekia

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot gjatë konferencës për media bëri të ditur se disa nga donacionet me vaksina kundër Coronavirusit janë detyruar të mos i pranojnë për shkak se kishin afat të shkurtër të përdorimit.

KALLXO.com merr vesh se donacionet me vaksina “AstraZeneca” janë refuzuar në muajin korrik të këtij viti të cilat kanë qenë nga Polonia dhe Çekia.

Ministria e Shëndetësisë tre ditë më parë ka hedhur në mbeturinat 133 mijë e 234 doza të vaksinave të kompanisë “AstraZeneca” pasi të njëjtave u kishte skaduar afati.

Në anën tjetër, në Kosovë gjatë këtyre javëve priten të vijnë 150 mijë vaksina “AstraZeneca” nga Gjermania dhe 100 mijë vaksina nga Italia.

Sipas ministrit Vitia këto donacione do të kenë afat të përdorimit deri në nëntor të këtij viti.

Mirëpo, kryetari i sindikatës së shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla, në një intervistë dhënë dje për KALLXO.com, ka potencuar se donacionet të cilët pranohen nga ministria duhet të kenë minimumi gjashtë muaj afat përdorimi ose në të kundërtën nuk duhet të pranohen.

“Nëse pranojmë donacione duhet të kenë minimum gjashtë muaj afat të përdorimit apo nuk duhet të pranohet donacioni”, tha ai.

Këtë javë ministri Vitia e quajti javë të vështirë pasi që për shtatë ditë Kosova humbi 170 qytetarë të cilët ishin të infektuar me COVID-19, situatë të rënduar e quajti edhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Kransiqi, ai theksoi se asnjëherë më parë nuk kanë qenë më të ngarkuara klinikat dhe spitalet në vend se sa këtë javë.

Vitia: Kemi refuzuar disa donacione të vaksinave që kishin afat të shkurtë të skadimit