Dokumentet shëndetësore, pa këshilla për privatësinë

Gazetarët në Kosovë ndodhen para rrezikut të madh që me raportimet e tyre të shkelin privatësinë e palëve e po ashtu të publikojnë të dhëna të cilat janë sekrete.

Mijëra faqe dokumente të prodhuara nga institucionet e Kosovës nuk i nënshtrohen klasifikimit dhe si rrjedhojë çdo dokument i prodhuar nuk ka mbishkrimin që është konfidencial apo dokument që zbulon të dhëna sensitive.

Diskutimi për publikimin e të dhënave sensitive u ngjall gjatë pandemisë COVID-19.

Në disa raste, receta mjekësore apo edhe lista e plotë me emrat e personave të testuar e madje edhe lista e personave me emrat e të infektuarve u publikua në media.

Në ditët e para të pandemisë, Këshilli i Mediave të Shkruara u bëri apel mediave që të dhënat konfidenciale të pacientëve mos  të publikohen dhe të ruhet identiteti i tyre.

Pavarësisht reagimit të KMShK-së, institucionet nuk u kujdesën që materialet që lidhen me pandeminë apo edhe materialet e tjera mjekësore të identifikohen me mbishkrime që nuk janë për publikim.

Si rrjedhojë, në Rahovec lista e plotë e pacientëve e cila kishte qarkulluar në mes zyrtarëve u publikua në një faqe në Facebook apo edhe rasti tjetër në Prizren, ku lista me personat e infektuar – një dokument ky i cili është për përdorim të brendshëm, qarkulloi në rrjetin Viber.

Në komunën e Vitisë, e prekur nga COVID-19, të gjitha udhëzimet për pacientët të cilët i drejtojnë ata për teste për COVID-19 në Prishtinë nuk kanë ndonjë mbishkrim që të dhënat janë konfidenciale.

Madje, sipas mjekëve të QKMF në Viti, as rezultatet e analizave të cilat u dorëzohen mjekëve nuk kanë një mbishkrim të tillë.

“Nuk shkruan askund se të dhënat nuk duhet të publikohen, por ne e ruajmë privatësinë e pacientëve. Nuk e di si e bën kërkesën Ministria e Shëndetësisë kur shtypen udhëzimet”, thotë drejtoresha e QKMF-së në Viti, Vjollca Kadolli.

Ajo sqaron që edhe dokumentet e tjera, si udhëzimet dhe rekomandimet e mjekëve, të cilat janë në formë shabllonesh, nuk kanë paralajmërime të tilla.

Mungesa e ankesave

Në Kosovë ekziston një mekanizëm që është i thirrur për të ruajtur privatësinë e qytetarëve.

Agjencia për Privatësi ka kompetencë të trajtojë secilin rast ku pretendohet se është thyer privatësia mirëpo deri më tani në këtë Agjenci është dorëzuar vetëm një ankesë. Njëra nga arsyet është se qytetarët nuk dinë shumë për Agjencinë, e cila është themeluar para disa muajsh.

Por, pavarësisht se neni 3 pika 1.25 në Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale siguron që të gjitha “të dhënat personale të ndjeshme që zbulojnë origjinën etnike ose racore, pikëpamjet politike ose filozofike, përkatësinë fetare, anëtarësimin në sindikatë ose çdo e dhënë për gjendjen shëndetësore ose jetën seksuale” janë të mbrojtura me ligje dhe nuk mund të bëhen publike, ndonëse nga tendenca për të përfituar klikime, mediat publikuan të dhëna personale të pacientëve pa e menduar faktin se si do të ndihen pastaj ata në shoqëri.

“Publikimi i emrave të të prekurve nga COVID-19, mund të krijojë një terren të përshtatshëm për margjinalizimin e tyre jo vetëm nga rrethi i gjerë social, por edhe nga personat e afërm, duke filluar nga aspekti social, atë të punësimit, edukimit e deri te rrënimi i jetës së tyre”, thotë psikologu klinik Latif Hoxha.

Ai shton se  publikimi i rezultateve në orët e vona si dhe termet e përdorura si izolim, rast i dyshimtë, karantinë e distancim social ka ndikuar ndjeshëm në shëndetin mendor të shumë njerëzve.

“Stigmatizimi publik që i është bërë të prekurve me këtë virus, mund të ndikojë tek të tjerët për ta fshehur sëmundjen e mundshme të tyre, apo t’i parandalojë ata të kërkojnë ndihmë me kohë”, thotë psikologu.

Përpos publikimit të të dhënave gjatë kësaj kohe në media është raportuar si i mirëqenë fakti se të moshuarit dhe të sëmurit kronikë do e pësojnë medoemos nga pandemia.

Kjo ka ngjallur frikë të madhe çdo ditë te ta nga pasiguria e gjendjes së tyre.

Në Kosovë janë bërë më shumë se dy muaj që nga rasti i parë i paraqitur me coronavirus.

IKSHPK deri më tani kanë testuar 10,942 mostra të dyshimta, ku numri i të shëruarve ka shkuar në 690, i të infektuarve në 945 dhe i të vdekurve në 29.