Foto: Facebook/Novak Djokovic

Dokumentet: Gjokoviqit iu dha mundësia për mosvaksinim pasi në dhjetor doli pozitiv me COVID-19

Novak Gjokoviqit iu dha mundësia për mosvaksinim pasi doli pozitiv me COVID-19 në dhjetor, tregojnë dokumentet e gjykatës.

Numrit një i tenisit në botë iu dha një “përjashtim mjekësor” për të garuar në “Australian Open” pasi ishte shëruar së fundmi nga COVID-19, tregojnë dokumentet gjyqësore të publikuara të shtunën nga Federal Circuit i Australisë, raporton CNN.

Zhvillimi vjen pasi Gjokoviqi është vendosur në një hotel në Melburn, i cili është shndërruar në një qendër emigracioni, ndërsa ai ka një sfidë ligjore të hënën kundër revokimit të vizës së tij përpara turneut.

“Gjokoviq kishte marrë, më 30 dhjetor 2021, një letër nga Shefi Mjekësor i Tenisit Australian që tregonte se atij i ishte dhënë një “përjashtim mjekësor nga vaksinimi kundër COVID” me arsyetimin se ai ishte shëruar së fundmi nga COVID”, thuhet në dokument.

Testi i parë PCR pozitiv për COVID-19 Gjokoviqit u regjistrua më 16 dhjetor 2021 dhe pasi nuk tregoi shenja të etheve ose “simptomave në frymëmarrje”, ai aplikoi për një përjashtim mjekësor për të konkurruar në “Australian Open”, theksohet në dokument.

34-vjeçarit, i cili ka kritikuar më parë vaksinën kundër COVID-19, iu mundësua që të mos vaksinohej për të konkurruar në turne i pavaksinuar “me arsyetimin se ai ishte shëruar së fundmi nga COVID”, thanë avokatët e tij sot.

Dokumentet, të cilat janë dorëzuar në gjykatë përpara seancës dëgjimore të Gjokoviqit të hënën, konfirmuan se lojtari ishte i pavaksinuar kur mbërriti në Australi më 5 janar.

Pasi u mor në pyetje nga Forca Kufitare Australiane, parashtresa thotë se përjashtimi i Gjokoviqit u përcaktua si i pavlefshëm sipas Aktit të BioSecurity të Australisë, sepse “infeksioni i tij i mëparshëm me COVID-19 nuk konsiderohet një kundërindikacion mjekësor për vaksinimin kundër COVID-19 në Australi”.

Një “kundërindikacion mjekësor” jepet në situata specifike ku një ilaç, procedurë, vaksinë ose operacion nuk duhet të përdoret sepse mund të jetë i dëmshëm për shëndetin e një personi.

Më pas, viza e Gjokoviqit u anulua më 6 janar në orën 4:11 të mëngjesit me kohën lokale, sipas nenit 116(1)(e) të Aktit të Migracionit, i cili “lejon anulimin e një vize kur mbajtësi paraqet rrezik për shëndetin dhe sigurinë ose një individi brenda komunitetit australian.”