DOKUMENT - Vendimi i AKA-së për dy programet e kolegjit “Rezonanca”

Agjencia e Kosovës për Akreditim ka vendosur për akreditimin e dy programeve të nivelit Bachelor të Kolegjit “Rezonanca” për vitin akademik 2020 deri në vitin 2023.

Këtë vendim e ka marrë Këshilli Shtetëror i Cilësisë edhe pse  Kolegji “Rezonanca” kishte regjistruar studentë në vitin akademik 2019 në programet për të cilat nuk kishte akreditim duke menduar se do ta merrnin akreditimin në ndërkohë.

Kolegji “Rezonanca”, ende nuk është përgjigjur në pyetjet e KALLXO.com se çfarë do të ndodhë me studentët e regjistruar në këto programe kur nuk kishin akreditim.

Kolegji “Rezonanca” kishte thënë se nëse vendimi për akreditim nuk lëshohet për vitin 2019/20, do të realizojnë procedurë gjyqësorë ndaj KShC-së.

Për këto programe ishte vendosur në mbledhjen e 17 janarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, mes tensionesh e mos pajtimesh me anëtarëve të këtij këshilli.

“Riakreditohen programet e studimit të Kolegjit “Rezonanca” për periudhën tre vjecare, 1 tetor 2020- 30 shtator 2023”, thuhet në vendim.

Tutje po ashtu janë bërë të ditur edhe programet për të cilat është lëshuar vendimi si dhe numri i studentëve është mbi 100.

“Farmaci komunitare, Bachelor, 180 ECTS, maksimumi 120 studentë për vitin akademik, dhe Fizioterapi, Bachelor, 180 ECTS, maksimumi 120 studentë për vitin akademik”, thuhet më tej në vendimin e AKA-së që është nënshkruar nga kryetari i KShC-së, Gazmend Luboteni.

 

 

 

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të kolegjit në fjalë në lidhje me atë se çfarë do të bëjnë me studentët që i kanë regjistruar gjatë vitit 2019 dhe është duke pritur përgjigje.

Emisioni “Jeta në Kosovë”, më 30 janar ka transmetuar hulumtimin për akreditimet kontraverse të programeve të disa kolegjeve private. Në këtë emision është rrëfyer një studente e Kolegjit “Rezonanca” e cila ka pretenduar se u mashtrua nga ky kolegj.

Studentja tregoi se i kishte bërë pagesat për studime, pasi nga kolegji “Rezonanca” i’u ishte thënë se kishin akreditim në programin ku ajo aplikoi për vitin 2019, kur në fakt nuk e kishin dhe e morrën në mbledhjen e fundit të KShC-së.

Pas këtij rrëfimi, Kolegji “Rezonanca”  edhe pse ishte ftuar në emision dhe nuk kanë pranuar që të jenë pjesë e tij, ka reaguar duke thënë se kanë ftuar studentët që të regjistrohen në drejtimet që s’kanë pasur akreditim, me arsyetimin  që ata të mos humbin vitin.

Në mbledhjen e 17 janarit, kur ishte vendosur për akreditimin e këtyre programeve të Kolegjit “Rezonanca”, tre anëtarët e KShC-së, Rozafa Koliqi, Dukagjin Zeka dhe Arta Jakupi kishin lëshuar mbledhjen.

Ata nuk pajtoheshin me procedurat e përshpejtuara për akreditimin e këtyre programeve.

Kështu, aprovimi i këtyre programeve kishte mbetur në dorën e tre ndërkombëtarëve dhe dy anëtarëve vendor të KShC-së: Kreytari, Gazmend Luboteni, nënkryetarja Vjollca Krasniqi dhe ndërkombëtarët Magdalena Ziolo, Herbert K. Amato dhe Jeffery Butel.