DOKUMENT – Themelohet Komisioni i Ankesave i Agjencisë së Akreditimit

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka themeluar Komisionin e Ankesave të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Në këtë komision, sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, tre anëtarë të përhershëm janë emëruar: Faton Merovci, Muhamet Qerimi dhe Krenare Sogojeva Dërmaku.

Ndërsa dy anëtarë alternativë/rezervë në Komisionin e Ankesave të AKA-së janë emëruar Bujar Pira dhe Haki Demolli.

Sipas vendimit, mandati i anëtarëve të këtij komisioni është dy vite dhe vendimi është marrë më 4 shtator të këtij viti.

Këta anëtarë janë përzgjedhur sipas një Komisioni të Përkohshëm të themeluar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për Komisionin e Ankesave të Agjencisë së Akreditimit.

Ky vendim është nënshkruar nga ana e drejtorit të AKA-së, Naim Gashi.

Për 1 vit, Agjencia e Kosovës për Akreditim ka funksionar pa Komision të Ankesave, pasi që më 27 gusht të vitit 2019 kishin dhënë dorëheqje anëtarët e ish-Komisionit të Ankesave.

Ish-komisioni i Ankesave kishin pasur mos pajtime me bordin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, për shkak të kompetencave të këtij komisioni, pasi që ata kishin rikthyer akreditime për institucione të cilat KShC-ja ia kishte pezulluar.

Pas kësaj, KShC ia kishte pezulluar punën e Komisionit të Ankesave për shkak se kishin kuptuar që versioni përfundimtar i rregullores me të cilën punon Komisioni i Ankesave nuk është votuar asnjëherë nga anëtarët e KShC-së.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë pezullon punën e Komisionit të Ankesave

Komisioni i Ankesave është organi i cili trajton dhe shqyrton ankesat e parashtruara ndaj vendimeve të KShC-së, i cili përbëhet nga tre anëtarë të përhershëm dhe dy anëtarë rezervë.