Dokument: Sa i kushtoi buxhetit të Kosovës asfalti që u bë copë-copë?

Dëmtimi nga reshjet e fundit që pësoi rruga që lidh fshatin Rud të Malishevës dhe Sferkë të Klinës ka ngritur dilema në opionin sa i përket asaj së kush ishte përgjegjës për mbikëqyrjen e punimeve.

Projekti për asfaltimin e rrugës Rud – Sfërk u nënshkrua mes Ministrisë së Infrastrukturës e cila drejtohej nga Pal Lekaj i AAK-së dhe Komunës së Malishevës në prill të 2018-ës.

Kjo rrugë që u bë copë-copë i kushtoi buxhetit të Kosovës 420 mijë euro, nga të cilat 40 mijë euro kishte participuar Komuna e Malishevës.

KALLXO.com ka siguruar memorandumin e mirëkuptimit në mes këtyre dy institucioneve.

Në bazë te nenit 3 të këtij memorandumi, obligimet e Ministrisë së Infrastrukturës ishin sigurimi i mjeteve, pagesat dhe caktimi i një zyrtari për mbikëqyrjen e realizimit të projekteve nga fillimi deri në përfundim të kontratës, që rrjedhimisht me vendim MI cakton detyrat, përgjegjësitë dhe autorizimet e zyrtarit për mbikëqyrje.

Në anën tjetër, Komuna e udhëhequr nga Ragip Begaj mes tjerash ishte obliguar që të emërojë projekt-menaxherin apo organin mbikëqyrës për realizimin e projekteve si dhe komisionin për inspektimin final të punimeve/pranimin teknik në të cilën komision duhet të jetë një anëtar nga MI-ja.

Rruga e cila lidh fshatrat Rud të Malishevës dhe Sferkë të Klinës kishte nisur ndërtimin më 25  tetor të vitit 2019 ndërsa ishte përuruar në prill të 2020.

Fotografitë e rrugës në fjalë i kishte publikuar të shtunën Komuna e Malishevës, e cila më pas e fshiu postimin.

Zëdhënësi i Komunës së Malishevës, Artan Paqarizi ka deklaruar për KALLXO.com se pjesa në të cilën është shkatërruar asfalti është në territor të Klinës por njoftimin e kanë bërë për të paralajmëruar qytetarët.

Ndërkaq, Mirsad Dakaj, këshilltar i kryetarit të Klinës ka thënë për KALLXO.com se komuna e tyre nuk ka financuar këtë projekt. Dakaj ka shtuar se pavarësisht që dëmi është në territorin e tyre, ata nuk mund ta bëjnë rregullimin.

Mirëpo, përpjekjen e Komunës së Malishevës për ta shfajësuar veten për rrugën dhe për t’ia vënë përgjegjësinë Ministrisë së Infrastrukturës po e konteston asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Malishevës, Alban Krasniqi.

Krasniqi ka publikuar në profilin e tij në Facebook dokumente, të cilat sipas tij dëshmojnë se rruga Rud-Sferkë u tenderua dhe u mbikëqyr nga Komuna e Malishevës.

“Pra, kjo rrugë është tenderuar dhe mbikëqyrur nga komune e Malishevës, kurse mjetet janë ndarë nga niveli qendror”, ka shkruar Krasniqi, i cili postimit të tij ia ka bashkëngjitur dokumentet e nxjerra nga e-prokurimi.

Sot këtë rrugë e ka vizituar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili kërkoi përgjegjësi nëse nuk janë përmbushur kontratat sa i përket cilësisë së punës. Sipas Haradinajt, dëmet infrastrukturore nga këto përmbytje mund të jenë edhe si pasojë e punëve të shpejta dhe jocilësore.