(DOKUMENT) Rangimi i ulët i UP-së dhe mbyllja për stafin e ri, disa nga arsyet për inicimin e shkarkimit të rektorit

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës nesër mban mbledhje në të cilën do të vlerësojë përformancën dhe punën e rektorit, Naser Sahiti.

Rënia e kualitetit të UP-së prej vendit të 2,776 në vitin 2019 në vendin e  3,027 në vitin 2022, sipas  WEBOMETRICS, u kritikua shumë nga publiku i gjerë dhe është një prej pikave të dobëta të rektorit Sahiti sipas dokumentit që Këshilli Drejtues i ka dërguar KALLXO.com.

Mes tjerash përmendet “dështimi në tërheqjen e talenteve, mendjeve të ngritura nga gjithë bota – fitimi i trurit” si arsye tjetër për vlerësim.

Sipas dokumenti të Këshillit Drejtues, Universiteti i Prishtinës nuk i ka përmbushur mbi 50% e vendeve të punës në administratë dhe ka lënë departamente pa drejtor.

Po ashtu përmenden probleme dhe jotransparenca në publikimin e shpenzimeve nga Universiteti i Prishtinës e në veçanti problemeve që lidhen me prokurimin publik.

KALLXO.com ka raportuar për shkeljet që i ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit për UP-në gjatë vitit 2021 në kohën kur Naser Sahiti ishte rektor.

Universiteti i Prishtinës është kritikuar historikisht për mbi-normat e stafit akademik, me ç’rast stafi ekzistues është paguar më shumë në vend se të lejohet hapësirë për rekrutimin e asistentëve dhe profesorëve të rinj.

Kjo e ka bllokuar UP-në prej ripërtërirjes së stafit dhe i ka siguruar jetëgjatësi deri në pensionim stafit të vjetër, shumë prej të cilëve nuk i plotësojnë kriteret shkencore për të qenë profesorë, sipas ORCA-s.

Këshilli Drejtues përmend edhe këtë si çështje e vlerësimit të përformancës së rektorit të UP-së.

“Lejimi i marrjes së mbi normave për staf akademik, duke mbyllur Universitetin për rekrutime të reja në staf akademik njëkohësisht duke i vështirësuar programet në akreditim”- përmend Këshilli Drejtues i UP-së në vlerësimin e përformancës së rektorit.

Përveç kësaj UP nuk ka sistem të vlerësimit të stafit, përderisa universitet botërore bëjnë anketa me studentë për përformancës e profesorëve.

“Mos aktivizimi i kartelës së performancës të stafit akademik, duke lejuar që cilësia të vazhdoj të bie brenda në Universitet”, thuhet në dokumentin e Këshillit Drejtues.

Naser Sahiti ishte pro-rektor i cili bashkë me Marjan Demën, ish-rektor i UP, u implikuan në padrejtësitë që iu bënë Rozafa Koliqit kur në vitin 2017 nuk u avancua në pozitë edhe pse i kishte kualifikimet më të larta se kundërkandidati i saj, për të cilën KALLXO.com ka raportuar.

Më poshtë mund të gjeni dokumentin e Këshillit Drejtues me çështjet që tregojnë vlerësimin e përformancës: