Zenun Halili

DOKUMENT - Pse u eliminua Zenun Halili nga gara për rektor?

Universiteti i  Prishtinës “Hasan Prishtina” më 1 tetor pritet që të ketë rektorin e ri që do të udhëheqë këtë institucion për katër vitet e ardhshme.

Në garën për të parin e UP-së kanë qenë pesë kandidatë dhe vetëm tre prej tyre janë propozuar për rektor të UP-së që do të shqyrtohen nga senati dhe pastaj të dërgohen në Këshillin Drejtues të UP-së, i cili është organ vendimmarrës.

Konkursi për rektor të Universitetit të Prishtinës ishte hapur më 10 korrik dhe ishte mbyllur më 24 korrik në ora 15:30. Sipas konkursit, të drejtë kandidimi për këtë pozitë kanë pasur kandidatët e brendshëm dhe të jashtëm.

Rektori zgjidhet nga Këshilli Drejtues nga lista e kandidatëve të propozuar nga Komisioni profesional prej pesë anëtareve të cilin komision e formon Senati.

Ky komision i cili ishte në përbërje me kryetar Qerkin Berisha, Kurtesh Sherifi, Liridon Veliu, Qefsere Gjonbalaj dhe Gent Sallauka, ka eliminuar nga gara njërin nga kandidatët më të përfolur për këtë pozitë, Zenun Halili.

Halili, para se të kandidonte, e kishte lënë pozitën e anëtarit të Këshillit Drejtues të UP-së.

Sipas dokumentit të siguruar nga KALLXO.com, arsyeja pse komisioni vlerësues e ka eliminuar nga kjo garë Halilin, ka qenë për shkak të kësaj pozite.

Komisioni ka thënë se sipas kritereve të konkursit publik, ai është në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

“Komisioni ka analizuar dhe marrë për bazë dispozitat e ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit  në Ushtrimin e Funksionit Publik. Gjatë shqyrtimit të aplikacionit të kandidatit, Zenun Halili, komisioni profesional ka vërjetur se Prof, Zenun Halili, ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së, i cili është organ mbikqyrës i UP-së dhe ai të njejtën pozitë e ka mbajtur nga vitit 2019 deri në vitin 2020”, thuhet në raportin e komisionit vlerësues.

Tutje, komisioni ka theksuar se Ligji për Parandalimin e Konflikit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik tregon qartë për kufizimet e zyrtarit të lartë pas përfundimit të ushtrimit të detyrës publike.

“Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë të punësohet ose emërohet, për një periudhë prej dy vjeçare pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, apo të përfshihet në kontrollin ose auditimin e institucioneve publike dhe private dhe institucioneve vartëse të tyre të cilat kanë marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksion publik, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik, kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetetit të tyre”, thuhet në raport.

Ata kanë theksuar se pozita e rektorit është përcaktuar si zyrtar i lartë sipas nenit 3, paragrafi 3.1 dhe paragrafi 3.11, të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

“Duke marrë për bazë kompetencat e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, të përcaktuara me nenin 17 të statutit të UP-së, detyrat e anëtarit të Këshillit Drejtues janë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen dhe kontrollin e Universitetit të Prishtinës”, thuhet më tej në raportin e komisionit vlerësues.

Komisioni profesional një zëri janë pajtuar që bazuar në këto dispozita, Zenun Halili nuk mund t’i propozohet Këshillit Drejtues për t’u zgjedhur rektor i UP-së.

“Zgjedhja e Halilit, në pozitën e rektorit të UP-së do të ishte në kundërshtim me dispozitat e Nenit 18 paragrafi 1.1 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit Publik dhe rrjedhimisht edhe me kërkesat e konkursit publik për rektor”, thuhet në raport.

Në bazë të vendimit të komisionit profesional, për këtë pozitë janë propozuar Blerim Rexha, Faton Berisha dhe Naser Sahiti.

KALLXO.com kishte raportuar se Halili po ashtu ka qenë kandidatë për deputet nga partia e Ramush Haradinaj, AAK në vitin 2014.

Ai në një intervistë për KALLXO.com ishte i sigurt që do të zgjidhej si rektor i UP-së.

“Jemi ende në fazën e konsultimeve përfundimtare dhe konkursi është shpallur është i hapur deri të enjten, po mendoj ta bindi veten që t’i hyj kësaj sfide që nuk është e lehtë. Mendoj se me përvojën time edhe në ShBA edhe këtu mund të jem një kandidat i denjë për ta çuar UP-në përpara”, kishte thënë ai.

Pavarësisht këtij raporti, senati i UP-së sot do të mbajë mbledhjen e radhës, ku do të shqyrtohet ky raporti i komisionit vlerësues për pozitën e rektorit të UP-së.

.