ARKIV - Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafa Foto: ZKM

DOKUMENT -Marrëveshja e koalicionit LDK - AAK

Marrëveshja e koalicionit mes LDK-së dhe AAK-së, të cilën e ka siguruar KALLXO.com i ka 14 pika të përbashkëta.

Nga kjo marrëveshje koalicioni, AAK do të ketë 4 pozita të ministrave dhe një pozitë të zëvendëskryeministrit.

AAK-së do t’i takojnë pozita e ministrisë së Punëve të Jashtme, e Drejtësisë, Ekonomisë dhe Ministria e Arsimit.

Në marrëveshjen bashkëqeverisëse, partnerët janë dakorduar edhe për numrin e zëvendësministrave e cila do të ndahet sipas fuqisë politike të partnerëve të koalicionit, por nuk është përmendur ndonjë numër i saktë i emërimit të zëvendësministrave.

LDK dhe AAK, sipas kësaj marrëveshje deklarojnë se janë pajtuar të mos emërojnë persona që nuk kanë pasur dhe nuk kanë probleme me Ligjin.

Mirëpo, e propozuara për ministre të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla është e dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për mos-deklarim të pasurisë.

Poashtu partnerët janë pajtuar që në rast se gjatë qeverisjes ndonjë nga anëtarët e kabinetit qeveritar do të përballen me ndonjë aktakuzë, kryeministri do t’i lirojë nga detyrë automatikisht, deri në përfundim të procesit gjyqësor.