Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

DOKUMENT- Letra e plotë e dorëheqjes së dy anëtarëve vendorë të KShC-së

Kryetari dhe nënkryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Gazmend Luboteni dhe Vjollca Krasniqi sot kanë dhënë dorëheqje nga këto pozita.

Letrën e dorëheqjes të siguruar nga KALLXO.com, dy anëtarët ia kanë dërguar Ministrit në detyrë të Arsimit, Ramë Likaj, Kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti dhe Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi.

Ata kanë theksuar se kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme nga këto pozita duke treguar edhe arsyet e këtij vendimi si dhe duke sqaruar se pse janë dorëhequr edhe tre anëtarët ndërkombëtarë të KShC-së

Dy anëtarët thanë se janë munduar që të përmirësojnë cilësinë në arsimin e lartë pavarësisht presioneve të vazhdueshme nga jashtë dhe brenda KShC.

“Për gati tri vite ne jemi munduar maksimalisht për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë përkundër kushteve të vështira të punës, si dhe presioneve të vazhdueshme nga jashtë, por edhe brenda vet KShC-së, që ka qenë pengesë serioze për zbatim të akreditimit krahas standardeve ndërkombëtare”, thuhet në letrën e tyre drejtuar Likajt.

Sipas tyre, përkundër kërkesave të vazhdueshme për ngritjen e pavarësisë së AKA-së, asgjë nuk ka ndryshuar për këto tri vite.

“Edhe përkundër faktit se në retorikë rikthimi i AKA-së në ENQA dhe EQAR është menduar si prioritet qeveritar. Për të arritur këtë qëllim shumë punë duhet bërë, krahas përkushtimit për të garantuar autonominë e AKA-së dhe vendimarrjen e KShC-së. Problemet në arsimin e lartë janë të thella dhe kërkojnë një angazhim të të gjitha institucioneve dhe të shoqërisë. Në këtë kontekst, ne shprehim fuqishëm përkushtimin tonë për t’u angazhuar në vazhdimësi në të mirë të ngritjes së cilësisë në arsimin e lartë përmes formave tjera të angazhimit tonë akademik dhe profesional”, është thënë në fund.

KALLXO.com më herët raportoi se kryetari, nënkryetarja dhe tre anëtarët ndërkombëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, kanë dhënë dorëheqje.

Siç merr vesh KALLXO.com, anëtarët ndërkombëtarë kanë dhënë dorëheqje pasi nuk kanë pranuar të deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Japin dorëheqje 5 anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë