Ilustrimi: Jeta Dobranja/Kallxo.com

DOKUMENT: Kjo është marrëveshja për linjën ajrore mes Kosovës dhe Serbisë

KALLXO.com, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, përveç marrëveshjeve për hekurudha dhe autostrada ka siguruar edhe marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për linjë ajrore.

Marrëveshjet që u mbajtën të fshehta për gati 1 muaj, më në fund janë bërë publike.

Në marrëveshjen, që është quajtur letër e interesit për vendosjen e rrugës ajrore mes Beogradit e Prishtinës, thuhet se kjo përfshin fluturimin direkt përmes rrugëve ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit dhe anasjelltas, duke u nisur apo ateruar në Aeroportin e Prishtinës apo Beogradit, në pajtim me marrëveshjen për linjën ajrore.

“Agjencia e Shërbimit të Navigacionit Ajror në Aeroportin e Prishtinës është autoritet kompetent për të ofruar shërbime të Kontrollit Ajror brenda sektorit të KFOR-it. KFOR-i është autoriteti kompetent për të siguruar mbikëqyrje që provizionet e shërbimeve të Kontrollit të Trafikut Ajror (ATC) brenda sektorit të KFOR-it, që të realizohen në mënyrë të sigurt”, thuhet në këtë dokument.

Mes tjerash, në këtë marrëveshje thuhet se kjo përfshin por nuk kufizohet për mbështetjen e menaxhimit për pasagjerë mallra dhe shërbime postare, furnizimin me karburant dhe mbështetjen gjatë afrimit dhe nisjes së fluturimit, shërbimin ndaj pasagjerëve, mallrave, bagazheve dhe hyrje/daljen e pasagjerëve që fluturojnë sipas marrëveshjes.

Siç thuhet në dokument, shërbimet do të gëzojnë nivelin e njëjtë të shërbimeve sikur të gjitha shërbimet e tjera për dhe nga Prishtina.

“Institucionet në Kosovë konfirmojë që operimi nga dhe për në Beograd/Prishtinë dhe anasjelltas do të operojnë pa tarifa shtesë, taksa apo pagesës për shërbime sipas kësaj marrëveshje”, thuhet në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com.

Në dokumentin në fjalë figuron data 20 janar 2020 dhe duket se është nënshkruar nga Eset Berisha nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, megjithëse nuk ka asnjë emër nën nënshkrim.

Takimi i arritjes së marrëveshjes në Berlin të Gjermanisë, ishte drejtuar nga Richard Grenell, i dërguari special i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërkaq, Këshilli Kombëtar për Siguri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka quajtur historike arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për linjën ajrore Prishtinë- Beograd.

Më poshtë e keni letrën e interesit, të përkthyer nga stafi i KALLXO.com:

Letër e interesit për vendosjen e rrugës ajrore mes Beogradit e Prishtinës

Autoriteti i Aviacionit Civil në Kosovë, Aeroporti i Prishtinës dhe Misioni i NATO-s në Kosovë ( KFOR), do të dëshironin të njoftonin dhe konfirmonin si  në vijim. Në lidhje me vendosjen e linjës speciale ajrore Beograd-Prishtinë dhe anasjelltas për Lufthansa Group.

Palët shprehin interesimin e tyre për të vendosur linjën direkte speciale ajrore në mes Beogradit dhe Prishtinës. Agjencia e Shërbimit të Navigacionit Ajror në Aeroportin e Prishtinës është autoritet kompetent për të ofruar shërbime të Kontrollit Ajror brenda sektorit të KFOR-it. KFOR është autoriteti kompetent për të siguruar mbikëqyrje nëse provizioneve e shërbimeve të Kontrollit të Trafikut Ajror (ATC) brenda sektorit të KFOR-it, realizohen në mënyrë të sigurt.

Njësia e Kontrollit Ajror brenda Aeroportit të Prishtinës do të sigurojë shërbime  për të gjithë aeroplanët të operuara nga Eurowings dhe bartësit e Lufthansa Group brenda zonës ajrore të KFOR-it.

Kjo përfshin fluturimin direkt përmes rrugëve ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit dhe anasjelltas, duke u nisur apo ateruar në Aeroportin e Prishtinës apo Beogradit, në pajtim me me marrëveshjen për linjën ajrore. Si një segment i shërbimeve të kontrollit ajror, komunikimi direkt do të realizohet në mes të ofruesve të shërbimeve në aeroporte, duke përshirë shërbimin e kontrollit të trafikut ajror në Aeroportin e Beogradit apo cilin do tjetër të kërkuar.

Institucionet në Kosovë, në pajtim me marrëveshjen për linjën ajrore Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas do të japin të drejtën Eurowings-it dhe Lufthansa Group për të realizuar një plan të fluturimit duke përdorur kodin ICAO të BKPR-së për shërbimet në mes Prishtinës dhe Beogradit. Autorizimet respektive për zonën ajrore do të mbesin efektive pa asnjë konfirmim shtesë. Pajtimi kërkon regjistrim dhe lejet e nevojshme të lëshuara nga institucionet në Kosovë  që nuk do të ndalohen në rast se Eurowings ose bartësi nga Lufthansa Group është në gjendje të prezantojë dokumente relevante dhe tipike për aeroplanin.

Operimi do të jetë subjekt i studimit të fizibilitetit komercial teknik dhe procesor nga Eurowings ose ndonjë bartës i Lufthansa Group, me mbështetjen e plotë nga të gjitha palët.

Aeroporti i Prishtinës menaxhohet dhe operon përmes operatorëve relevantë komercialë. Nëse kërkohet nga Eurowings ose një bartës nga Lufthansa Group, Aeroporti i Prishtinës do të nënshkruajë një marrëveshje në bazë të Marrëveshjes për Standardet e  Menaxhimit Tokësor me divizionin me Lutfhansa- Eurowings, duke siguruar që Eurowings dhe bartësit e Lufthansa Group do të pranojnë mbështetje të plotë për të ofruar shërbime për pasagjerë sipas marrëveshjes.

Kjo përfshin por nuk kufizohet për mbështetjen e menaxhimit për pasagjerë mallra dhe shërbime postare, furnizimin me karburant dhe mbështetjen gjatë afrimit dhe nisjes së fluturimit, shërbimin ndaj pasagjerëve, mallrave, bagazheve dhe hyrje/daljen e pasagjerëve që fluturojnë sipas marrëveshjes.

Shërbimet do të gëzojnë nivelin e njëjtë të shërbimeve sikur të gjitha shërbimet e tjera për dhe nga Prishtina.

Marrëveshjet për Lirinë e Lëvizjes dhe Marrëveshja IBM që është arritur përmes dialogut Beograd-Prishtinë do të aplikohen për pasagjerët, postën dhe mallrat që barten në këtë rrugë ajrore.

Institucionet në Kosovë konfirmojnë që operimi nga dhe për në Beograd/Prishtinë dhe anasjelltas do të operojnë pa tarifa shtesë, taksa apo pagesës për shërbime sipas kësaj marrëveshje.

Në rast të taksat dhe pagesat nuk do të jenë diskriminuese.

Eurowings dhe bartësit e Lufthansa Group do të kenë autoritet të plotë në shitjen e biletave, të definojë çmimet e pasagjerëve dhe për mallra si dhe ratat për postën vetëm për shërbimet respektive në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe anasjelltas.

Regjistrimi i kodeve të bartësit me Lufthansa Group në shërbimet respektive do të ofrohen në të gjitha kohët, nëse të gjitha kushtet e rregullatorit janë respektuar.

Kuptohet nga institucionet e Kosovës që Euroëings ose bartësi i Lufthansa Group kanë të drejtë të përdorin shërbimet nga partnerët huazues për operimin e shërbimeve respektive me marrëveshjen paraprake nga autoritetet në fjalë.

Autoriteti i Aviacionit Civil në Kosovë dhe KFOR-i do të hyjnë në një marrëveshje të përshtatshme që e qeveris implementimin e kësaj marrëveshje.

Në çfarëdo rasti, KFOR mban autoritetin për zonën ajrore të Kosovës, në përputhje në marrëveshjet e njohura ndërkombëtarisht të Misionit të NATO-s në Kosovë.

Në përputhje për marrëveshjen dhe rregullimin, Autoriteti i Aviacionit Civil në Kosovë dhe KFOR-i do të harmonizojnë dhe nënshkruajnë procedurat e koordinimit dhe ekzekutimit e fluturimit sipas marrëveshjes.

Në të gjitha kohërat , Autoriteti i Aviacionit Civil në Kosovë, Aeroporti i Prishtinës dhe KFOR do të sigurojnë një operim të fluturimit të sigurt, duke përfshirë aterimet, sipas marrëveshjes.