Presidenti Hashim Thaçi në Munih pas nënshkrimit të marrëveshjes për hekurudha dhe autostrada Prishtinë-Beograd, Foto: Hashim Thaçi/Twitter

Dokument: Kjo është marrëveshja për hekurudha mes Kosovës dhe Serbisë

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka arritur të sigurojë marrëveshjen që Kosova dhe Serbia e kanë bërë për korridorin hekurudhor mes Prishtinës dhe Beogradit.

Sipas dokumentit që është nënshkruar nga drejtorët e Ministrisë së Infrastrukturës, ky dokument nuk quhet marrëveshje, por quhet letër interesi.

“Rruga do të lidh Prishtinën përmes pikës së kalimit kufitar në Merdare dhe do të lidhet përmes linjave ekzistuese hekurudhore në Nish e pastaj për në korridorin e linjës hekurudhore Alpet- Ballkani Perëndimor”, thuhet në marrëveshje.

Tutje në këtë letër shkruhet se rruga e propozuar për hekurudhën Prishtinë-Beograd, duhet të rinovohet dhe ndërtohet për të mundësuar zbatimin e marrëveshjes.

“Për qëllimin e vendosjes së trafikut për pasagjerë dhe mallra nëpër rrugën e propozuar Prishtinë-Beograd, duhet të rinovohet dhe ndërtohet infrastrukturë përkatëse që përcillet me zbatim të marrëveshjeve teknike, ligjore dhe profesionale për vendosjen e transportit hekurudhorë për pasagjerë dhe mallra”, thuhet tutje.

Për implementimin e kësaj marrëveshje, pala kosovare ka kërkuar mbështetje ndërkombëtare dhe financim ndërkombëtar për të gjitha rrugët hekurudhore që e lidhin Kosovën me shtetet e tjera.

Kjo letër e interesit është nënshkruar nga Xhemë Veseli, Drejtor i Departamentit të Transportit Tokësor në Ministrinë e Infrastrukturës.

Kjo letër është nënshkruar në prezencë të ambasadorit amerikan në Berlin, i Dërguari i Posaçëm i Presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe presidentëve të Kosovës e Serbisë.

Presidenti Hashim Thaçi i kishte quajtur marrëveshje historike nënshkrimet në Berlin për hekurudha dhe autostrada.

“Një tjetër moment historik! Së pari, marrëveshja për trafikun ajror dhe sot kemi nënshkruar marrëveshjen për hekurudhat dhe autostradat Kosovë dhe Serbi. Faleminderit Donald Trump  për udhëheqjen tuaj, dhe Richard Grenell  për vendosmërinë”, kishte shkruar Thaci në Twitter, më 14 shkurt të këtij viti.

Më poshtë e gjeni letrën e interesit të përkthyer në shqip:

Letër e interesit për vendosjen e një korridori hekurudhor mes Prishtinës dhe Beogradit

Duke rikonfirmuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për të kontribuar plotësisht në konsolidimin ekonomik, përshpejtim të qarkullimit të mallrave, njerëzve dhe shërbimit dhe lidhjes më të afërt të Ballkanit Perëndimor dhe të gjithë qytetarëve që jetojnë në rajon, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit në Kosovë dëshiron të njoftojë dhe të konfirmojë deklaratën në vazhdim në lidhje me vendosjen e korridorit hekurudhor Prishtinë-Beograd.

Rruga do të lidh Prishtinën përmes pikës së kalimit kufitar në Merdare dhe do të lidhet përmes linjave ekzistuese hekurudhore në Nish e pastaj për në korridorin e linjës hekurudhore Alpet- Ballkani Perëndimor.

Rehabilitimi dhe zhvillimi i trafikut hekurudhor që e lidh Prishtinën dhe Beogradin ka rëndësi strategjike, pasi kjo rrugë paraqet lidhjen më të shkurtër me korridorin që lidh me tregjet e Europës Qendrore, Perëndimore dhe Juglindore.

Për qëllimin e vendosjes së trafikut për pasagjerë dhe mallra nëpër rrugën e propozuar Prishtinë-Beograd, duhet të rinovohet dhe  ndërtohet infrastrukturë përkatëse që përcillet me zbatim të marrëveshjeve teknike, ligjore dhe profesionale për vendosjen e transportit hekurudhorë për pasagjerë dhe mallra.

Specifikacionet teknike për linjat hekurudhore duhet gjithashtu të jenë në linjë me Standardet Teknike Europiane për Interoperimin (TSI).

Kosova synon të kërkojë mbështetje ndërkombëtare dhe financim që t’i bëjë ndërkombëtare të gjitha rrugët hekurudhore që e lidhin Kosovën me shtetet fqinje.

Duke implementuar këtë iniciativë, provizionet që përbëjnë strukturën ekzistuese ndërkombëtare, do të zbatohen, gjithashtu edhe ato të përcaktuara në marrëveshjet dhe rregullimet të vendosura brenda Bashkimit Europian.

Letra e interesit për linjën hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë