Foto: Hashim Thaçi/Facebook

DOKUMENT: Kjo është marrëveshja për autostrada mes Kosovës dhe Serbisë

KALLXO.com, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, ka siguruar dy marrëveshjet e arritur në Berlin mes Kosovës dhe Serbisë për autostradat dhe hekurudhat.

Marrëveshjet që u mbajtën të fshehta për gati 1 muaj, më në fund janë bërë publike.

Në marrëveshjen, që është quajtur letër e interesit për përfundimin e autostradës Prishtinë-Beograd thuhet se autostrada do ta lidhë Prishtinën dhe Beogradin përmes pikës kufitare Mendarë, e cila pastaj përmes qytetit të Nishit, do të arrijë deri në Beograd.

“Autostrada do të shërbejë si një komponent kyç në rrjetin kryesor të Evropës në transportin regjional, duke i lidhur korridoret rrugore Pan-Europiane me portet në bregdetin e Adriatikut”, thuhet në mes tjerash në letrën e interesit e cila u nënshkruar në Berlin.

Dallimi mes letrës së interesit për hekurudhat dhe autostradës është shumë i vogël.

“Duke implementuar këtë iniciativë, provizionet që përbëjnë strukturën ekzistuese ndërkombëtare, do të zbatohen, gjithashtu edhe ato të përcaktuara në marrëveshjet dhe rregullimet të vendosura brenda Bashkimit Europian.”, thuhet në mes tjerash në këtë letër interesi.

Kjo letër e interesit është nënshkruar nga Ramë Qupeva, drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore në Ministrinë e Infrastrukturës.

Kjo letër është nënshkruar në prezencë të ambasadorit amerikan në Berlin, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe presidentëve të Kosovës e Serbisë.

Presidenti Hashim Thaçi i kishte quajtur marrëveshje historike nënshkrimet në Berlin për hekurudha dhe autostrada.

“Një tjetër moment historik! Së pari, marrëveshja për trafikun ajror dhe sot kemi nënshkruar marrëveshjen për hekurudhat dhe autostradat Kosovë dhe Serbi. Faleminderit Donald Trump  për udhëheqjen tuaj, dhe Richard Grenell  për vendosmërinë”, kishte shkruar Thaci në Twitter, më 14 shkurt të këtij viti.

Më poshtë e keni letrën e interesit. të përkthyer nga stafi i KALLXO.com

Letër e interesit për përfundimin e autostradës Prishtinë-Beograd

Duke rikonfirmuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për të kontribuar plotësisht në konsolidimin ekonomik, përshpejtim të qarkullimit të mallrave, njerëzve dhe shërbimit dhe lidhjes më të afërt të Ballkanit Perëndimor dhe të gjithë qytetarëve që jetojnë në rajon, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit në Kosovë dëshiron të njoftojë dhe të konfirmojë deklaratën në vazhdim në lidhje me ndërtimit dhe kompletimit e autostradës Prishtinë-Beograd.

Autostrada do të lidh Prishtinën dhe Beogradin përmes pikës së kalimit kufitar në Merdare dhe pastaj përmes Nishit nëpërmes ndërtimit të rrugës së re.

Ndërtimi i infrastrukturës së autostradës  që e lidh Prishtinën me Beogradin ka rëndësi strategjike për ekonominë e Kosovës, duke pasur parasysh që një përqindje e madhe e pasagjerëve dhe mallrave  në tregjet rajonale transportohen në mënyrë rrugore dhe pasi është njëra nga dy lidhjet kryesore në rrjetin e transportit rajonal dhe kryeqytetet fqinje.

Autostrada do të shërbejë si një komponent kyq në rrjetin kryesor të Europës në transportin regjional, duke i lidhur korridoret rrugore Pan-Europiane me portet në bregdetin e Adriatikut.

Me qëllimin e vendosjes  së transportit të pasagjerëve dhe mallrave përmes autostradës së propozuar, infrastruktura përkatëse duhet të ndërtohet dhe duhet të përcillet me zbatim të marrëveshjeve teknike, ligjore dhe profesionale për vendosjen e transportit rrugor.

Specifikacionet teknike për autostradën duhet gjithashtu të jenë në linjë me Standardet Rrugore Trans-Europiane (TEM)

Duke implementuar këtë iniciativë, provizionet që përbëjnë strukturën ekzistuese ndërkombëtare, do të zbatohen, gjithashtu edhe ato të përcaktuara në marrëveshjet dhe rregullimet të vendosura brenda Bashkimit Europian.

Letra e interesit për autostrada mes Kosovës dhe Serbisë