DOKUMENT - Këto janë arsyetimet e dy komisioneve parlamentare për shkarkimin e Bordit të RTK-së

Të enjten me 8 korrik, Kuvendi i Kosovës ka shkarkuar duke votuar për secilin veç e veç të 8 anëtarët e Bordit Drejtues të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Shkarkimi erdhi pas rekomandimeve të Komisionit për Buxhet, e më pas edhe atij për Media, bërë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

KALLXO.com, pas kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, ka siguruar nga Kuvendi i Kosovës arsyetimet e të dyja Komisioneve, për shkarkimin e Bordit të RTK-së.

Në arsyetimin e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere thuhet se Bordi Drejtues i RTK-së, në vazhdimësi ka dështuar t’i siguroj qasje të papenguar Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm në inicim dhe kompletim të auditmit të rregullsisë dhe perfomancës së mediumit publik.

Sipas Komisionit, Ligji për RTK-në e përcakton se është institucion publik, dhe për këtë arsye, duhej të auditohej nga ZKA.

“Sipas Ligjit për Ndarjet Buxhetore, RTK është organizatë buxhetore me kod organizativ dhe e cila ka përfituar financim vjetor në vlerë 11 milionë e 200 mijë euro, në kategorinë e subvencioneve dhe transferove. Mjetet, sipas Ligjit, ndahen sipas vendimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa”, thuhet në arsyetimin e Komisionit.

Sipas tyre, opinioni ligjor i Drejtorisë së Përgjithshme për çështje ligjore të Kuvendit të Kosovës, i datës 4 qershor 2021, specifikon se asnjëherë nuk kishte ndonjë provizion në kuadër të Ligjit të RTK-së, që konteston autoritetin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

“Në bazë të shkresave të pranuara nga ZKA dhe Raportimit të Auditorit të Përgjithshëm pranë Komisionit për Buxhet, janë evidentuar pengesa të pareshtura dhe kontestim i procesit të auditimit nga Menaxhmenti i RTK-së”.

Komisioni thotë se duke amnistuar këtë situatë, sipas tyre, të pengimit të personit zyrtar, Bordi i RTK-së ka dështuar të luaj rolin vendimmarrës dhe mbikëqyrjes, siç e përcakton Ligji për RTK-në.

Sipas arsyetimit të Komisionit, në këtë situatë, Bordi i RTK-së i është nënshtruar udhëzimeve të Drejtorit të Përgjithshëm dhe kjo sipas tyre, bie në ndesh me Ligjin.

Në arsyetimin e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, thuhet se Bordi i RTK-së, ka dështuar edhe në përpilimin e një strategjie afatgjate për zhvillimin dhe financimin e Radiotelevizionit të Kosovës.

Sipas Ligjit për RTK-në, televizioni publik ishte paraparë që të përfitonte financim direkt nga buxheti shtetëror, për një periudhë tranzitore tre vjeçare, deri në sigurimin e financimit nga parapagimi.

“Bordi aktual nuk ka propozuar ndonjë strategji për të siguruar financim adekuat, të qëndrueshëm dhe transparent ndaj publikut. Nuk është evidente nga procesverbalet dhe diskutimet e mbledhjeve të realizuara gjatë vitit 2020, që kjo çështje të jetë diskutuar apo trajtuar”, thuhet në arsyetim.

Komisioni për Buxhet gjithashtu pretendon se Raportet Financiare tremujore dhe vjetore, nuk kanë ndonjë ndërlidhje ndërmjet aktiviteteve dhe shpenzimeve e që sipas tyre nuk mbështeten në parimin aktual.

Komisioni thotë se në raportet financiare, shpenzimet për paga në vitin 2008 ishin 3,698,982 euro, ndërsa numri i punëtorëve për vitin 2008 ishte 424, plus 99 bashkëpunëtorë të pavarur.

Sipas tyre, në vitin 2020, shpenzimet për paga dhe mëditje janë rritur në 8,625,000, kurse numri i punëtorëve ishte 1,024, nga të cilët 806 me kontrata të rregullta dhe 218 të tjerë me orare të pjesshme.

“Kjo tendencë e shpenzimeve dhe rritje e pakontrolluar e numrit të punëtorëve, ka shkaktuar gjendje të rëndë financiare e shprehur përmes borxhit që varion ndërmjet 2.6 – 5.2 milionë euro, ndërmjet 2018-2020. Sipas nenit 26, paragrafi 8, Bordi e ka për detyrë të sigurojë jo vetëm miratimin e buxhetit dhe përcaktimin e politikës së kompenzimit, por edhe të sigurojë që shpenzimet e televizionit publik nuk tejkalojnë të hyrat”.

Ndërsa në arsyetimin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media, thuhet se në Raportin Vjetor të Përformancës së RTK-së, nuk është gjetur asnjë strategji apo vizion afatshkurtër apo afatgjatë, lidhur me shfrytëzimin e kapaciteteve të RTK-së.

Sipas këtij Komisioni, Raporti ishte vetëm një reflektim programor pa asnjë referim nga problematikat dhe lëshimet me të cilat transmetuesi publik është ballafaquar.

Në arsyetimin e Komisionit për Media, për shkarkimin e Bordit të RTK-së, është përmendur gjithashtu edhe Raporti i Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, për vitin 2020, ku flitet edhe për RTK-në.

Komisioni citon Raportin e Progresit, ku thuhet se mangësitë e RTK-së, duhet të adresohen duke përfshirë rekrutimin jo të bazuar në merita, shpërblimet jo transparente, qëndrueshmërinë e pamjaftueshme të programeve në gjuhet jo shumicë.

“Një qëndrim i tillë i Komisionit Evropian, konfirmon edhe një herë se RTK ka nevojë për një reformë të thellë, e cila nuk është e arritshme nga një Bord jokompetent”, thuhet në arsyetimin e Komisionit për Media.

Për më shumë, Komisioni thotë se tre nga anëtarët e Bordit të tanishëm, kanë qenë anëtarë të Bordit edhe në vitin 2019, kur punëmarrësit e RTK-së kanë bërë deklarime politike dhe ndaj të cilëve, sipas Komisionit, nuk është ngritur procedura disiplinore.

“Në fakt, anëtarët e tanishëm të Bordit, janë të gjithë të obliguar në përputhje me paragrafin 2.14., që të bëjnë vlerësimin e përmbushjes së detyrave të personalit, përfshirë atë të integritetit dhe të miratojnë e sigurojnë përmbushjen e kritereve profesionale”, pretendon Komisioni në arsyetim.

Komisioni gjithashtu thotë se pavarësisht kësaj, në vitin 2020, Bordi ka emëruar në personelin e tij, si zëvendësdrejtor, persona që më parë kanë shkelur Kodin e Mirësjelljes së RTK-së.

“Gjithashtu, me rastin e përzgjedhjes së drejtorit për Shërbime të Përbashkëta dhe Drejtorit të Përgjithshëm, menaxhmenti i RTK-së ka shkelur Marrëveshjen Kolektive të RTK-së, ku kërkohet që përfaqësuesit sindikal të ftohen me rastin e intervistimeve të kandidatëve”.

Për shkarkimin e Bordit të RTK-së nga Kuvendi i Kosovës, ka reaguar edhe Ambasada Amerikane në Kosovë.

Përmes një publikimi në Facebook, Ambasada ka thënë se shkarkimi i Bordit do të duhet të bëhen me prova transparente dhe jo me justifikime të pakta.

Dokumentin e plotë të siguruar nga KALLXO.com, e gjeni duke klikuar në linkun më poshtë.

Rekomandim për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës