DOKUMENT - Drejtoria e Arsimit në Drenas 'obligon' drejtorët e shkollave të marrin pjesë në tubim të PDK-së

Ende pa filluar fushata për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, drejtoria e Arsimit në komunën e Drenasit i ka obliguar drejtorët e shkollave të marrin pjesë në një mbledhje të Partisë Demokratike të Kosovës.

Përmes email-it, drejtorëve të disa shkollave fillore dhe të mesme të kësaj komune iu kërkua që të jenë të pranishëm në takimin ku i ftuar ishte kryetari i degës së PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha, të gjithë kandidatët për deputetë nga kjo komunë dhe drejtori i DKA-së.

Ky takim u mbajt të martën me datë 3 gusht, në një restorant të Drenasit.

“Ju ftojmë që nesër më datë 03.09.2019 e Martë, të merrni pjesë në një takim që do të mbahet në: Dijamant – kati II nga ora 15:00. Në takim do të jenë prezent kryetari i partisë, drejtori i DKA-së si dhe të gjithë kandidatët për deputetë nga Komuna e Drenasit. Pjesmarrja e obligueshme”, thuhet në email-in e dërguar, të siguruar nga KALLXO.com.

Lidhur më këtë, KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin, i cili tha së nuk është në dijeni për këtë email të dërguar por që thotë së, do t’i ndërmarrë të gjitha masat ndaj zyrtarit “që ka keqpërdorur emailin zyrtar”.

“Ka disa ditë, jam jashtë vendit dhe nuk jam në dijeni për këtë e-mail komunikim në mes të DKA dhe drejtorëve të shkollave, as çfarë ka në atë komunikim. Unë nuk e kam pranuar një e-mail të tillë. Nëse është bërë ky lloj komunikimi, ka gjasa të jetë bërë gabim sepse arsimi në komunën tonë është i depolitizuar dhe do t’i ndërmarr të gjitha masat ndaj zyrtarit që ka keqpërdorur e mailin zyrtar, konform ligjit dhe rregulloreve në fuqi”, tha Lladrovci.