DOKUMENT - Dosja e kushteve ndërtimore për ndërtim në Liqenin e Badovcit

KALLXO.com ditë më parë ka bërë kërkesë zyrtare për qasje në dokumentet me anë të cilave Komuna e Prishtinës i ka dhënë pronarit të tokës, Rrahman Haradini, kushtet ndërtimore për ndërtimin e 17 shtëpive afër Liqenit të Badovcit.

Fillimisht, Komuna e Shpend Ahmetit në kërkesën zyrtare është përgjigjur duke dërguar një vegëz, ku thuhej se përmes saj mund të gjenden të gjitha kushtet ndërtimore që Komuna i lëshon.

Por pas insistimit të KALLXO.com, sot Komuna edhe zyrtarisht e ka kthyer përgjigjen, duke ofruar qasje në dokumentet, ku shihet që i janë dhënë kushtet ndërtimore pronarit Rrahman Haradini.

Me datë 14 janar, Komuna e Prishtinës kishte publikuar disa dokumente, ku thuhej se dy herë i është refuzuar kërkesa Haradinit, për tu paijisur me kushte ndërtimore.

Komuna dy herë ia ka refuzuar kërkesën pronarit në fjalë dhe është arsyetuar në vendimin e qeverisë së Kosovës  të datës 24 prill 2013, me anë të cilës e caktonte Liqenin e Badovcit zonë të mbrojtur.

Pronari i tokës, Rrahman Haradini, gjithashtu dy herë është ankuar në shkallën e dytë në Ministrinë e Mjedisit dhe tek herën e tretë, Komuna ia ka aprovuar kërkesën dhe me datë 20 dhjetor 2019, Haradinit i janë dhënë kushtet ndërtimore, për ndërtimin e 17 shtëpive në zonën afër Liqenit të Badovcit.

Në publikimet e dokumenteve të datës 14 janar, Komuna e Prishtinës, ka publikuar dokumentet e dy refuzimeve që i janë bërë Haradinit, ndërsa është publikuar vetëm 2 faqe, nga 10 të tilla të vendimit për dhënien e kushteve ndërtimore.

Pas insistimit të KALLXO.com, se një vegëz nuk është përgjigje krahas kërkesës zyrtare për qasje në dokumente zyrtare, sot Komuna e Prishtinës ka dërguar të gjithë dokumentacionin, përmes të cilit, pronarit Rrahman Haradinit i janë dhënë kushtet ndërtimore, përmes të cilave pastaj edhe mund të aplikojë për leje ndërtimore, për ndërtimin e 17 shtëpive afër Liqenit të Badovcit.