Foto: REL/AFP

(DOKUMENT) 11 pikat e propozuara për të siguruar tregtinë e lirë mes Kosovës dhe Serbisë

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në takimin mes Kosovës dhe Serbisë kishte njoftuar se kanë identifikuar 11 marrëveshje të cilat Serbia nuk i ka përmbushur.

“Në këtë takim mes tjerash kemi identifikuar 11 marrëveshje në të cilat Serbia nuk i ka përmbushur detyrimet e saja”, kishte shkruar Bislimi në Facebook.

Në takimin e 19 korrikut të mbajtur në Bruksel, në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com thuhet se përfaqësuesit e Kosovës kanë përmendur 11 hapat e nevojshëm për të siguruar tregtinë e lirë mes Kosovës dhe Serbisë.

Këto janë 11 pikat:

1.Zbatimin e plotë të MIK (IBM) nga ana e Serbisë

  1. Njohjen e plotë të vulave doganore dhe të gjitha vulave të nevojshme për eksport efektivdrejt Serbisë.
  1. Ndalimin e menjëhershëm të lëshimit të çdo dokumenti apo vule brenda territorit të Serbisë që ndërlidhet me autoritetet kosovare.
  1. Sigurimin e lëvizjes së lirë transit të mallrave dhe njerëzve nga/për në Kosovë përmes territorit të Serbisë. Çdo kërkesë shtesë për paraqitjen e dokumentacionit që kërkohet për kompanitë serbe dhe lëshohet nga autoritetet serbe, shërben automatikisht për të dekurajuar përdorimin transit të infrastrukturës rrugore serbe dhe zbatohet vetëm për eksportuesit kosovarë.
  1. Pranimin e të gjitha certifikatave fitosanitare dhe veterinare të nxjerra nga autoritetet e Kosovës, pranimin e barkodit të Kosovës dhe përmbajtjen nga kërkesat që eksportuesit të përdorin etiketa shtesë/të ndryshme me rastin e procedurave të eksportit ose transitit.
  1. Ndalimin e praktikave diskriminuese në njohjen e Certifikatave të Produkteve Farmaceutike (CPF) për kompanitë kosovare që janë të interesuara të shesin në tregun serb, në përputhje me marrëveshjen.
  1. Sigurimin e funksionimit me kohë të plotë të agjencisë fitosanitare të Serbisë në të gjitha pikat kufitare/pikëkalimet e përbashkëta kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që aktivitetet eksportuese të mund të zhvillohen gjatë gjithë ditës.8. Sigurimin e qasjes së plotë të firmave kosovare që dëshirojnë të ri-eksportojnë në Serbi mallrat e tyre të importuara nga shtetet e tjera. Aktualisht, vetëm eksportuesve nga Serbia u lejohet të ri-eksportojnë importet e tyre në Kosovë.
  1. Lejimin e firmave potenciale dhe të interesuara kosovare që të marrin pjesë aktivisht në veprimtaritë e prokurimit publik brenda territorit të Serbisë pa asnjë pengesë.
  1. Ndalimin e praktikës së detyrimit të shtetasve kosovarë që jetojnë jashtë shtetit që të paguajnë tarifa doganore për gjësendet e tyre personale gjatë përdorimit transit të infrastrukturës rrugore të Serbisë.
  1. Sigurimin e pjesëmarrjes aktive dhe qasjes problemzgjidhëse të Serbisë në SEED dhe në të gjitha takimet e MIK në të gjitha nivelet.