DokuFest-i e mund pandeminë

Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër DokuFest, rikthehet me prezencë fizike, por nuk do të mungojë edhe në platformën online, thotë për Radion Evropa e Lirë, Alba Çakalli, producente e këtij festivali.

DokuFest është festivali më i madh në Kosovë dhe këtë vit shënon edicionin e 20 jubilar. Festivali do të mbahet nga data 6 deri më 14 gusht në Prizren.

Vitin e kaluar, DokuFest-i u mbajt në platformën online, për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Në këtë viti, thotë Çakalli, qyteti i Prizrenit po përgatitet që të presë qindra e mijëra vizitorë.

“Pas një viti me plotë sfida që kemi pasur edhe në organizimin e edicionit të 19-të, i cili ka rezultuar të mbahet online, planifikimet për këtë vit kanë shkuar me pak vështirësi dhe pasiguri. Tani jemi afër festivalit dhe kemi arritur që festivali këtë vit të mbahet në formatin hibrid. Ky vit do të shënohet në një formë shumë të mirë, me program shumë të pasur dhe special artistik”, thotë Çakalli.

Këtë vit, DokuFest-i do të ketë gjashtë kinema në ambiente të hapura dhe dy të tjera do të jenë në ambiente të mbyllura. Sipas Çakallit, pritet të shfaqen deri në 200 filma dokumentarë dhe të metrazhit të shkurtër. Po ashtu, shton ajo, do të zhvillohen edhe aktivitete të ndryshme.

DokuFest-i mbështetet nga institucionet e Kosovës, por edhe nga sponsorë të tjerë.

Çakalli thotë se e kupton që pandemia ka goditur ekonominë dhe se mbështetja institucionale mund të jetë e kufizuar.

“Duke pasur parasysh që është festival kualifikues për BAFTA, e ka një renome botërore dhe është një prej festivaleve që i ka bërë ballë shumë sfidave, natyrisht që kurrë nuk është e mjaftueshme për të mbështetur festivalin aq sa pritet dhe aq sa në fakt e meriton DokuFest-i prej institucioneve shtetërore”, tha ajo.

Festival me masa kundër COVID-19

Për shkak të COVID-19, vizitorët e DokuFest-it do të duhet te respektojnë masat për t’u mbrojtur nga kjo sëmundje.

DokuFest-i është në pritje që të marrë protokollet nga autoritetet shëndetësore, në mënyrë që të pranishmit të mos rrezikohen nga infektimi.

Sipas masave kundër COVID-19 të cilat janë në fuqi, teatrot, bibliotekat, filarmonitë, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë e të tjera, lejohet që të punojnë duke shfrytëzuar 50 për qind të hapësirës të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet.

Në Kosovë nuk ka orar të kufizimit të lëvizjes. Ndërkaq në ambiente të hapura lejohet grumbullimi deri në 100 persona, por duke mbajtur distancë, ndërsa në ambiente të mbyllura lejohen deri në 50 persona.

Çakalli thotë se viteve të kaluara, interesimi i njerëzve nga rajoni dhe më gjerë nuk ka munguar për këtë festival dhe se interesim ka edhe për edicionin e 20-të të festivalit.

DokuFest, ambasador për Kosovën

Festivali DokuFest, 20 vjet më parë kishte nisur në një qytet pa kinema, por tani njihet edhe si qytet i kinemave.

DokuFest-i për 20 vjet, thotë Çakalli, e ka kthyer Prizrenin në një qendër të filmit duke e pasuruar jetën kulturore të Kosovës dhe duke e kthyer qytetin në një destinacion të rëndësishëm të turizmit kulturor.

“DokuFest-i për Kosovën është ambasadori kryesor që e fut në hartën ndërkombëtare dhe qytetin e Prizrenit e promovon në mënyrë të suksesshme”, thotë ajo.

Festivali DokuFest çdo vit ka bartur mesazhe të ndryshme. Disa nga temat e festivalit kanë pasur të bëjnë me çështjet gjinore, me izolimin e qytetarëve të Kosovës e të tjera.

Në kinemanë Doku-Kino dhe DokuFest në vitin 2019 ishin shfaqur 352 filma, prej tyre 30 filma vendorë dhe 322 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 39.000.

Ndërkaq në vitin 2018, numri i filmave të shfaqur ishte 330, prej tyre 24 filma vendorë dhe 306 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 45.000.

DokuFest-i po ashtu ka edhe një ndikim në ekonominë e vendit, për shkak të numrit të madh të vizitorëve që mbledh ky festival.

Ndryshe, në një raport të Institutit GAP të vitit 2015, ishte thënë se festivali Dokufest kishte ndikuar në buxhetin e qytetit të Prizrenit, pasi i njëjti kishte rritur aktivitetin ekonomik për mbi 2.4 milionë euro.

Sipas po të njëjtave përfundime, është përmendur po ashtu se në rast të llogaritjes edhe të shpenzimeve për konsum, ndikimi vjetor i festivalit kishte prekur shifrën e mbi 4.7 milionë eurove. REL