Stomatologu Ekrem Çitaku

Doktori që foli në media për keqpërdorime në QKSUK përfundon në komision disiplinor

Deklarimi i stomatologut Ekrem Çitaku para mediave, duke sinjalizuar për keqpërdorime që ai pretendon se kanë ndodhur në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës (QKSUK), e çoi atë në komision disiplinor.

Drejtori i QKSUK-së, Kastriot Meqa ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj Çitakut për shkak të prononcimit para mediave, në mënyrë të paautorizuar dhe pa njoftim paraprak.

Ai konsideron se shkelja disiplinore ka ndodhur duke u bazuar në nenin 56, pikat 4.7 dhe 4.8 të Ligjit për Zyrtarët Publik, ku shkelje të rënda të detyrave konsiderohen “sjellja e papërshtatshme që dëmton reputacionin e shërbimit civil” dhe “vënia në lajthitje e organit publik përmes dhënies së informatave të gabuara ose fshehja e të dhënave zyrtare kur kërkohen për qëllime zyrtare”.

 

Kërkesa për fillimin e procedurës disiplinore ndaj doktor Ekrem Çitakut

Meqa është thirrur edhe në një urdhëresë të ish-drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK), Curr Gjocaj, të datës 02.08.2017 ku ndër të tjera thuhet se “nuk lejohen vlerësime, komente të të punësuarve dhe të njësive organizative për infrastrukturën dhe institucionin që dëmtojnë apo prishin imazhin e institucionit”.

Kjo urdhëresë përmend edhe Rregulloren e brendshme për procedurat dhe përgjegjësitë disiplinore, e cila në nenin, pika 1.32 konsideron shkelje të rëndë dhënien e informatave për institucionin pa autorizim.

Urdhëresa e ish-drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK), Curr Gjocaj, 02.08.2017.

Por, Çitaku dhe avokati i tij, Taulant Hajdari kundërshtojnë këtë duke u thirrur në të drejtën për liri të shprehjes dhe në Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.

“Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë” – thuhet në nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila citohet prej Hajdarit.

Liria e shprehjes është e garantuar edhe me nenin 40-të të Kushtetutës së Kosovës.

“Doktor Ekrem Çitaku është sinjalizue. Me veprimet e tij, vazhdimisht ka sinjalizuar keqpërdorimet të cilat pretendohen të jenë bërë brenda klinikës, andaj siç dihet sinjalizuesit janë të rregulluar me ligj të veçantë, Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Tentimi për t’i ndalur sinjalizimet padyshim që bie në kundërshtim me këtë ligj” – thotë avokati.

Ky ligj parasheh edhe sinjalizimin publik në disa raste, ndër to edhe kur sinjalizuesi që bën shpalosjen, me arsye beson se ai do t’i nënshtrohet ndëshkimit nëse bën raportim të brendshëm apo të jashtëm.

I kontaktuar nga KALLXO.com, drejtori Meqa tha se është në dijeni për Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve dhe se nuk është në pozitë që të gjykojë nëse një rregullore apo urdhëresë mund të jetë antiligjore apo antikushtetuese.

“Unë konsideroj se zyrtarët kanë të drejtë të prononcohen duke respektuar rregulloret dhe urdhëresat e institucionit ku punojnë dhe për të cilin prononcohen” – thuhet në përgjigjen e tij me shkrim.

Mbledhja e komisionit disiplinor u mbajt sot (22.08.2024) dhe të dyja palët dhanë pretendimet e tyre.

Avokati Hajdari tha se nuk presin që vendimi të jetë në favor të tyre, duke marrë parasysh “veprimet linçuese ndaj Çitakut”.

“Por edhe nëse vendimi nuk do të jetë (në favor tonin), jemi të gatshëm t’i ndërmarrim me kohë të gjitha veprimet ligjore kundër këtyre vendimeve të kundërligjshme” – tha ai.

Kjo palë është shprehur e pakënaqur edhe me përbërjen e komisionit, duke thënë se kryesuesja Teuta Bicaj është në konflikt interesi. Kjo pasi që Çitaku kishe sinjalizuar një konkurs brenda institucionit, përmes të cilit, Bicaj ishte zgjedhur shefe e klinikës.

Bicaj i është drejtuar Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit me kërkesë për sqarim nëse rasti konkret përbën konflikt të interesit, më 19.08.2024.

Kërkesa e kryesueses së komisionit, Teuta Bicaj drejtuar Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, 19.08.2024.
Kërkesa e kryesueses së komisionit, Teuta Bicaj drejtuar Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, 19.08.2024.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Teuta Bicajn, por deri në publikimin e këtij artikulli, ajo nuk ishte e qasshme për të ofruar më shumë informacione.

Në deklarimin e tij para mediave më 24.07.2024, doktor Çitaku kishte folur për pretendimet të tij, sa i përket keqpërdorimeve në konkurse e mos vijueshmërinë në punë nga stafi i QKSUK-së.

Përveç procedurës së fundit disiplinore, ndaj tij janë hapur edhe procedura të tjera më parë, që ai pretendon se janë iniciuar për shkak të sinjalizimeve të tij.

Këtë pretendim, e pati mohuar Meqa duke thënë se procedura është hapur si rrjedhojë e mosrespektimit të orarit të punës dhe refuzimit të detyrave që i janë dhënë.