Doktori pretendon se kriteret e konkursit për specializime po përdoren për manipulime - VIDEO

Arianit Zajmi, përfaqësues i  mjekëve kandidatë për konkursin e specializimeve 2020 që është hapur nga Ministria e Shëndetësisë, po i konsideron si absurde kriteret e konkursit.

 

Bazuar në njoftimin e konkursit të hapur për specializim të 1,034 mjekëve kriteret e kërkuara janë: 12-20 pikë nga nota mesatare, 0-10 pikë nga koha e pritjes, 0 deri në -10 pikë nga afati i diplomimit, 3-15 pikë nga intervista dhe 5 ose 2 ose 1 pikë nga PhD ose master.

Zajmi për KALLXO.com rrëfeu kërkesat e tyre dhe disa nga arsyet se pse duhet të ndryshohen këto kritere.

“Ankesa jonë ka të bëjë me kriteret e konkursit, për pranim në konkurs. Na po kërkojmë që këto kritere të ndryshohen. Nuk po kërkojmë që konkursi të anulohet, për shkak që kemi prit qe katër vite dhe jemi lodh si mjekë. Por, po kërkojmë që këto kritere me u ndryshu edhe me u vendos në të mirë të mundit dhe sakrificës që kemi bërë ne. Për shkak se këto kritere e hudhin poshtë mundimin tonë qoftë si student, qoftë si mjekë” tha Zajmi.

Sipas tij, në konkursin e hapur dhe kriterizuar nga Ministria e Shëndetësisë kanë marrë pjesë një grup i vogël i mjekëve për të cilët Zajmi nuk e di a qëllimshëm apo për koinçidencë këto kritere i janë përshtatur më së shumti këtij grupi të vogël.

“Këto kritere pikë së pari janë hartuar nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërsa në hapjen e këtij konkursi kanë marrë pjesë një grup i vogël i mjekëve të cilët nuk e di a qëllimshëm apo koinçidencë që këto kritere ju kanë përshtat më së shumti këtij grupi të vogël. Ndërsa pjesa dërrmuese kanë dalë kundër këtyre kritereve. Iniciativa kundër kësaj është nga ne, disa mjekë por që edhe pjesa dërrmuese e mjekëve e kanë mbështetur kërkesën tonë” u shpreh Zajmi.

Kërkesa e këtyre mjekëve është që intervista në konkursin për specializime mos të poentohet fare, ose të ketë vetëm karakter simbolik për shkak se po përdoret si formë për manipulim me poena.

“Kërkesa jonë është që këto kritere me u ndryshu për shkak se këto kritere janë shumë absurde dhe subjektive. Pika e parë ne kërkojmë që intervista mos me u poentu fare, ose me pas vetëm karakter simbolik se po ka qenë po kjo intervistë e cila para katër viteve ka qenë  epitomi i manipulimeve me poena.Kanë qenë dy mjekë si shembull konkret, njëri me 9.9 ndërsa tjetri me 10.0 të cilët janë diskualifikuar shkaku i kësaj interviste. Për këtë arsye ne nuk dëshirojmë që ky konkurs apo kjo intervistë me qenë déjà vu e intervistës së kaluar”, thotë Zajmi.

Ai kërkoi që minus poenat të eliminohen ose reduktohen për shkak se i diskualifikon të gjithë mjekët që kanë përvojë të pritjes pak më të madhe dhe mjekët më të vjetër që e kanë pasur problem që ta përfundojnë fakultetin në afat. Ai tha se 2.5 pikë reduktohen për vit e nëse kë dy vite vonesë në përfundim të afatit del minus 5 poena.

“Pastaj ne kërkojmë që nota mesatare me u poentu më lartë për shkak se është poentu shumë ulët, sa poenat e intervistës mund ta hudhin poshtë krejt notën mesatare. Ndërsa nota mesatare është pasqyra e sukseseve të një student. Dhe gjithashtu kërkojmë që koha  e pritjes së mjekëve të poentohet  më lartë. Kërkojmë që poenat e doktoraturës të largohen nga poentimi sepse pak a shumë vlerat e studimeve PhD dallojnë nga vlerat profesionale të një mjeku specialist. Minus poenat është mirë që më u reduktu për shkak se i diskualifikon të gjithë mjekët që kanë përvojë të pritjes pak më të madhe por mjekët më të vjetër e kanë pas problem që ta përfundojnë në afat për dallim nga mjekët e rinj që diplomojnë pa problem për shkak të reformave në Fakultetin e Mjekësisë” tha Zajmi.

Në lidhje me këtë kriter Zajmi ka pasur edhe eksperiencë personale pasi thotë se e ka humbur vendin e asistentit në Katedrën e Fiziologjisë Patologjike për shkak se kërkesën për intervistë e ka marrë tri orë para se ajo të mbahej.

“Edhe unë gjithashtu kam pasur një përvojë shumë të hidhur me intervistën.Para dy viteve kur kam aplikuar për asistent në Katedrën e Fiziologjisë Patologjike, ka qenë po intervista ajo që më ka diskualifikuar, ku profesori ma ka dërguar tri orë më herët kërkesën për intervistë. Dhe unë sigurisht për shkak të punës me pacientë nuk kam mundur ta lë punën edhe të vij në Prishtinë nga Gjakova për ta mbajtur intervistën. Prandaj nuk dua që e njëjta t’i përsëritet edhe ndonjë kandidati tjetër” tha ai.

Zajmi nuk po kërkon që intervista të largohet tërësisht por të mbetet vetëm si kriter simbolik i konkursit.

Këto kërkesa Zajmi ia ka dërguar institucioneve relevante shëndetësore.

“E kemi dërgu këtë kërkesë fillimisht Odës, Minstrisë së Shëndetësisë, Zyrës së Kryeministrit, zyrës së ministrit të Shëndetësisë, Federatës së Sindikatave Shëndetësore të Kosovës, Bordit Qendror Specialistik.Të gjitha këto institucione e kanë marrë kërkesën tonë ” tha Zajmi.

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com është munduar të marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, por nuk kanë përgjigjur.

“Kemi kërkuar mbështetjen e Odës së Mjekëve. Ne shumica dërrmuese distancohemi nga akuzat që i janë bërë ndaj Odës së Mjekëve nga ky grup i vogël. Pjesa dërrmuese mbajnë qëndrim neutral  përfshirë edhe Odën. Shpresojmë që edhe Oda edhe institucionet tjera do na ndihmojnë në realizimin e kërkesës tonë për ndryshimin e kritereve”  tregoi Zajmi.

Nëse nuk realizohen këto kërkesa Arianit Zajmi tha se do t’i përdorin të gjitha format demokratike të protestimit deri në ndryshimin e kritereve.

“Nëse nuk plotësohen kërkesat tona di i përdorim të gjitha format e protestimit deri në realizimin e kërkesave tona” tha Zajmi.

Konkursi për specializime është hapur me 30 korrik nga Ministria e Shëndetësisë dhe do të mbyllet me 15 gusht.për 1034 mjekë.

Në kategorinë e parë do të specializohen 256 mjekë, dhjetë të tjerë mund të specializohen me vetëfinancim, ndërsa në kategorinë e dytë do të specializohen 162 mjekë nga lëmi të ndryshme, dhe 532 të tjerë mund të specializohen me vetëfinancim.