Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dogana tregon se çfarë lloje të pajisjeve për kriptovaluta importohen në Kosovë

Adriatik Stavileci nga Dogana e Kosovës në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar se çfarë lloje të pajisjeve për prodhim të kriptovalutave janë importuar gjatë viteve të fundit në Kosovë.

Sipas tij, janë dy lloje të tilla, ‘eight-miners’ dhe kartelat grafike.

“Ne kemi dy lloje të paisjeve të cilat janë importu në Kosovë. Kemi 8 mining që kanë qenë direkt për prodhimin e kriptovalutave, si dhe kemi kartelat grafike të cilat importohen në masë të madhe, që vazhdojnë të importohen”, ka thënë Stavileci.

Ai ka bërë të ditur se Dogana e Kosovës nuk ka të dhëna të sakta se sa copë të pajisjeve të tilla janë të importuara, por sipas tij, në vitin 2016 kur ka filluar ky fenomen, është krijuar një kod i veçantë që këto pajisje të regjistrohen.

“Pajisjet që përdoren për ‘mining’ janë pajisje që gjatë vitit kanë pasur kulmin e importit gjatë vitit 2017-2018, që janë rreth 4 milionë euro pajisje të tilla. Njëjtë edhe kartelat grafike, diku rreth 5 milionë euro ka qenë vlera”, ka bërë të ditur Stavileci nga Dogana e Kosovës.