Foto: Dogana e Kosovës

Dogana tregon nëse janë duke u konfiskuar pajisjet për prodhim të kryptovalutave që nuk janë në rrymë

Pajisjet që nuk janë në rrymë dhe janë të doganuara nuk do të konfiskohen nga shteti.

Këtë e ka konfirmuar në emisionin “Kallxo Përnime”, Driton Azemi nga Dogana e Kosovës.

Ditë më parë, përmes një vendimi, Ministria e Ekonomisë ndaloi prodhimin e kriptovalutave në tërë territorin e vendit. Sipas kësaj Ministrie, kostoja e shpenzimit të rrymës nga makinat që prodhojnë kriptovaluta është e madhe. Prandaj, sipas tyre, është ndaluar.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e prodhimit për shkak të krizës energjetike, nuk është ilegal prodhimi i tyre për momentin, nuk është e ndaluar me ligj dhe si e tillë, nëse ata shfrytëzojnë energjinë alternative, nuk do të jetë problem, nuk është ilegale”, deklaroi Azemi.

Ai tha se gjatë aksioneve që Dogana e Kosovës i bën në bashkëpunim me Policinë e Kosovës vërejnë raste kur pajisjet nuk janë në rrymë. Sipas tij, të njëjtat nëse janë të doganuara, nuk konfiskohen.

“Ne gjatë këtyre ditëve kemi organizuar kontrolle së bashku me institucionet e zbatimit të ligjit dhe kemi hasur biznese të cilat e kanë respektuar vendimin, i kanë shkyçur pajisjet edhe i kanë pasur pajisjet e zhdoganuara. Me këtë rast ne vetëm ua kemi tërhequr vërejtjen se duhet të vazhdojnë ta respektojnë vendimin e Qeverisë deri në përfundim të tij. Ata i kanë pajisjet e shkyçura për moemtin”, deklaron tutje Azemi.

Sa harxhojnë rrymë pajisjet për prodhim të kriptovalutave?

www.kallxo.com