Dogana suspendon nga puna dy doganierët e arrestuar në aksionin e IPK-së

Dy doganierët e arrestuar në aksionin e Inspektoratit Policor të Kosovës janë suspenduar nga puna.

Kështu ka njoftuar Dogana e Kosovës në një komunikatë për media.

“Drejtori i Përgjithshëm i Doganës ka ndërmarrë veprimin e suspendimit të menjëhershëm të zyrtarëve doganor të arrestuar dhe do të filloj procedimin administrativ disiplinor”, është thënë në këtë njoftim.

Tutje, në njoftimin e Doganës është thënë se arrestimi i dy oficerëve doganor është bërë nën dyshimet se të njëjtët kanë kryer veprat penale “mitmarrje” dhe “shpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

“Dogana e Kosovës është mirënjohëse ndaj punës së Inspektoratit Policor në hetimin e këtij rasti dhe do të vijoj me bashkëpunim të rregullt me Inspektoratin, Policinë dhe Institucionet tjera të zbatimit të ligjit brenda dhe jashtë vendit”, është thënë në njoftim.

IPK në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në koordinim me Prokurorinë Speciale kanë nisur një aksion ku kanë arrestuar më shumë se 40 zyrtarë policor kufitar nën dyshimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Aksioni i IPK, i gjithë stacioni kufitar në Gjakovë i dyshuar për korrupsion