Dogana sekuestron mjaltë në vlerë rreth 3 mijë euro në Aeroportin e Prishtinës
Dogana e Kosovës, të enjten më 12.09.2024, ka sekuestruar 56 kavanoza me mjaltë në vlerë rreth 3 mijë euro.
Siç njofton Dogana, në Pikën e Kalimit Kufitar në aeroport gjatë fluturimit të linjës Stamboll- Prishtinë, është selektuar për kontroll një udhëtar, i cili kishte zgjedhur kanalin e gjelbër për të kaluar.
“Pas kontrollit të valixheve dhe analizës së imazheve nga skaneri, u hasën mallra të padeklaruara si më poshtë: 38 copë Mjaltë Manuka “AIRBORNE” 30+ (500 gramë), me vlerë 2,047.44€, 18 copë Mjaltë Manuka “AIRBORNE” 50+ (500 gramë ), me vlerë 875.34€”- thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Vlera totale e mallit të padeklaruar, sipas Doganës është 2, 922,78 euro, ndërsa shmangia nga obligimet doganore është llogaritur 871,00 euro.
Raportohet se rasti është duke u trajtuar sipas procedurave ligjore të Doganës së Kosovës dhe se mallrat janë sekuestruar.