Dogana sekuestron dy vetura në vlerë rreth 400 mijë euro

Dy vetura në vlerë rreth 400 mijë euro janë sekuestruar të enjten, më 12.09.2024, nga Dogana e Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar, arsyeja e sekuestrimit është se për këto vetura nuk ishin kryer procedurat doganore.

“Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës në rajonin e Prishtinës kanë ndaluar dy automjete me targa të huaja, të cilat nuk i kanë kryer procedurat doganore dhe nuk i plotësojnë kushtet për të qenë në qarkullim të lirë” – thuhet në njoftim.

Dogana ka shpjeguar se vlera e këtyre dy automjeteve, një Bentley e një Range Rover vlerësohet të jetë rreth 400,000.00 euro.

Automjetet, sipas Doganës, janë sekuestruar dhe prokurori kujdestar është njoftuar për të marrë udhëzime për trajtimin e mëtejmë të rastit.