Dogana pritet të furnizohet me 10 vetura të reja, tenderon 350 mijë euro

Dogana e Kosovës, pritet të furnizohet me 10 vetura të reja, prodhimi i vitit 2022, për nevoja të njësive të drejtorisë së zbatimit të ligjit.

Për blerjen e këtyre veturave, Dogana e Kosovës ka parashikuar të nënshkruaj kontratë në vlerë deri 350,000 euro.

Për këtë aktivitet të prokurimit, u përdor procedurë e hapur e prokurimit me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Sipas kërkesave që burojnë nga ky tender, në mes tjerash vetura duhet të jenë të reja të tipit të automjetit SUV, prodhimi i vitit 2022, me katër ose pesë dyer,  me karburant dizel,  dhe vazhdohet kështu me specifika tjera të kërkuara nëpërmjet këtij tenderi.

Nga vlera e përgjithshme e parashikuar e kontratës, dhe numrin e  planifikuar të veturave për t’i blerë, del se Dogana është e gatshme të paguaj deri 35 mijë euro për një të tillë.

Data 7 tetor 2022, është caktuar nga Dogana edhe afati deri kur mund të parashtrojnë ofertat, kompanitë e interesuar ta kryejnë këtë furnizim.