Foto: Dogana e Kosovës

Dogana parandalon kontrabandimin e cigareve, u tentua shmangia e mbi 100 mijë eurove taksë

Ekipet e Antikontrabandës të Doganës së Kosovës, dje në orët e pasdites, kanë ndalur një furgon në të cilin kanë hasur cigare që synohej të kontrabandoheshin.

Dogana ka theksuar se pas ndalimit të këtij furgoni, janë gjetur cigare të llojit “Regina Red dhe Blue”.

Sasia e cigareve në këtë rast është 75 mijë copë dhe sipas Doganës, ky është rasti i dytë brenda javës që kapen cigare të njëjta, pas rastit të parë kur ishin kapur një sasi prej 65 mijë copash.

Me këtë veprim është arritur të parandalohet shmangja e taksave të detyrueshme prej mbi 100 mijë eurove, thuhet në një komunikatë të Doganës së Kosovës.

“Dogana e Kosovës synon që në bashkëpunim me qytetarët të mbrojë interesin e shtetit, duke u pamundësuar kriminelëve që të përfitojnë nga taksat e qytetarëve. Andaj, mirëpresim bashkëpunimin me qytetarët e Republikës së Kosovës dhe mënyra më e sigurte është që të na kontaktoni përmes telefonit 0800 500 95, facebook Dogana e Kosovës ose e-mail: [email protected]. Me bashkëpunim efikas secili bëhet pjesë e luftës ndaj krimit. Duke mbrojtur të hyrat ne i krijojmë më shumë mundësi zhvillimit të vendit”, vijon komunikata.