Dogana e Kosovës - Foto: Rtv21

Dogana nuk avancoi asnjë zyrtar të brendshëm, ndonëse kishte 26 pozita të lira

Dogana e Kosovës edhe pse kishte fonde, nuk kishte zhvilluar asnjë proces të rekrutimit të jashtëm gjatë vitit 2021.

Në Doganë nuk ishin zhvilluar as procese për avancim të brendshëm përkundër faktit se 26 pozita menaxheriale ishin të lira.

Kështu thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Doganën e Kosovës.

Kjo për shkak që Dogana edhe pse kishte fonde (sipas Ligjit të buxhetit), nuk kishte përgatitur plan për rekrutim të stafit.

“Për strukturën organizative, Dogana kishte të aprovuar 581 punonjës, përderisa numri i zyrtarëve në fund të vitit 2021 ishte 559”, thuhet në gjetjen e Auditorit.

Sipas ZKA-së, prej këtyre 26 pozitave menaxheriale që ishin të lira, 5 pozita ishin të mbuluara me zëvendësues, 8 me emërime të përkohshme ndërsa 13 të paplotësuara fare.

“Sipas zyrtarëve të DK, kjo situatë qëndron për arsye se janë duke u bërë disa korrigjime në udhëzimin përkatës administrativ për rregullimin e marrëdhënies së punës për oficerët doganor, por që kjo gjendje po vazhdon ende”, thuhet në gjetjen e ZKA-së.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, mos plotësimi i pozitave të planifikuara me staf, sidomos ato menaxhuese, mund të ndikojnë në qëndrueshmërinë e zhvillimit të aktiviteteve operacionale dhe arritjen e objektivave të përcaktuara të Doganës.

ZKA ka rekomanduar që drejtori i Përgjithshëm duhet të sigurojë se janë ndërmarrë veprime konkrete për aprovimin e Udhëzimeve përkatëse dhe plotësimin e vendeve të lira të punës sipas Strukturës Organizative, duke i dhënë rëndësi të veçantë pozitave menaxhuese në kuadër të organizatës.

Tutje në raportin e ZKA-së thuhet se menaxhmenti i entitetit janë pajtuar me këtë gjetje.