Dogana e Kosovës - Foto: Rtv21

Dogana mblodhi 1 miliardë euro, eksporti i mallrave shënon rritje prej 68%

 

Të hyrat e Doganës së Kosovës deri në muajin shtator kanë arritur shifrën 1 miliardë euro, ndërsa eksporti ka shënuar rritje prej 68%.

Kjo u bë e ditur nga drejtori i Doganës, Agron Llugaliu, gjatë një konferencë për media.

Llugaliu tha se kjo rritje ka shënuar suksese krahasuar me vitin e kaluar duke qenë se të hyrat janë rritur për 33,5%.

“Me përmbylljen e muajit shtator ne arritëm që të mbledhim taksat në vlerën 1 miliard, kjo paraqet një sukses krahasuar me vitin e kaluar meqë kemi të hyra prej 33.5% më shumë të mbledhura e cila padyshim që është mundësuar nga rritje e gjithmbarshme ekonomike në vendin tonë”, ka thënë Llugaliu.

Llugaliu foli edhe për ndikimin e situatës së krijuar në Jarinjë e Bërnjak, sa i përket mallrave të importuara nga Serbia.

“Është e vërtetë që ka pasur vështirësi të ndërrimit të zyrtarëve por ata kanë operuar në vazhdimësi pa ndërprerje, kanë qenë pjesë e ndërrimeve bashkë me policinë e Kosovës”, tha ai.

Drejtori i Doganës shtoi se ndikimi nga situate e krijuar ka qenë rreth 10% rënie të importit të mallrave.

“Është pak e vështirë që brenda një jave të nxirret një trend real por ka qenë një ndikim ndoshta për 10% të rënies së importeve por edhe tranziteve që kalojnë përmes Serbisë që vijnë mallrat prej vendeve të treta”, shtoi Llugaliu.

Në këtë konferencë Dogana ka prezantuar aplikacionin E-Dogana, për parandalimin e korrupsionit, kontrabandës dhe dukurive tjera.

“Aplikacioni përbehet nga katër pjesë kryesore: raportimi i kontrabandës, korrupsionit, parregullsive dhe kontrollimi i veturave”, shpjegoi Besim Lushta nga Dogana e Kosovës.

Ndërsa Ilir Morina, ka folur për portalin e Doganës, ai tha se përmes tij ky institucion komunikon drejtpërdrejtë me qytetarët, ku ata dhe bizneset mund t’i paraqesin kërkesat dhe ankesa.

“Portali momentalisht ka 2424 shfrytëzues si persona civil dhe 243 biznese të cilët bëjnë vazhdimisht kërkesa në sistemin doganor”, tha ai.