Dogana jep detaje për doganierin e arrestuar, zbulohen rreth 18 mijë pako me barna të kontrabanduara

Një zyrtar doganor është arrestuar nën dyshimin për përfshirje në lejim të kontrabandës.

Sipas një njoftimi të Doganës, mbrëmë njësitë e doganës kanë gjetur sasi të barnave në një veturë në afërsi të pikë kalimit kufitar.

“Mbrëmë njësitë e Doganës kanë gjetur sasi të barnave në një veturë në afërsi të pikë kalimi kufitar dhe në bazë të dyshimit të arsyeshëm është arrestuar personi dhe zyrtari doganor. Pas ndalimit të automjetit është gjetur sasi e konsiderueshme e barërave në pjesën e bagazhit”, thuhet në njoftim

Në indikacionet e mëtejme, sipas njoftimit, është mësuar se personi posedon  edhe një depo të improvizuar private në një parking nëntokësor në Prishtinë ku janë gjetur rreth 18 mijë pako barëra.

“Bazuar në indikacionet e mëtejme, zyrtaret doganor hetues kanë arritur të mësojnë se personi në fjalë posedon edhe një depo të improvizuar private në një parking nëntokësore në Prishtinë. Duke vepruar mbi këto indikacione dhe në bashkëpunim dhe udhëheqje të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, zyrtarët doganor kanë hyrë në këtë depo, ku kane gjetur stok të konsiderueshme të barërave ilegale në sasi prej 17, 923 pako, 359 lloje të barnave”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje në njoftim theksohet se bazuar në provat e gjetura dhe sipas urdhrit të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, është konstatuar dyshimi i arsyeshëm se zyrtari doganor në detyrë ka qenë i përfshirë në lejimin e kontrabandës. Me këtë rast, hetuesit e Doganës pas urdhrit nga Prokurori, kanë arrestuar zyrtarin doganor si dhe personin e dyshimtë, ndërsa barërat ilegale janë sekuestruar të gjitha.

Suspendimi i zyrtarit përgjegjës në bazë të njoftimit do të bëhet me efekt të menjëhershëm, ndërsa  do të iniciohet hetim mbi përgjegjësinë menaxheriale të mbikëqyrësit të zyrtarit në fjalë.