Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dogana e Policia me aksion për kontrabandë e shmangie tatimi në veri

Dogana e Kosovës ka njoftuar se oficerë doganorë, të ndihmuar nga Policia e Kosovës, në orët e hershme të mëngjesit kanë realizuar kontrolle në tri lokacione të veri të vendit.

Qëllim i kontrollës kanë qenë bizneset për shmangie të tatimit dhe kontrabandë në rajonin e Zubin Potokut.

“Ky operacion ka filluar në orët e para të mëngjesit ku qëllimi ishte të kontrollohen bizneset të cilat operojnë në rajonin e Zubin Potokut, respektivisht dy lokacione në fshatin Zupce dhe një tjetër në fshatin Uglar”, thuhet në njoftim.

“Operacioni ka pasur qëllim kontrollin e bizneseve për shmangie të tatimit si dhe veprimtari ilegale të kontrabandimit të mallrave. Operacioni ka rrjedhur pa asnjë incident”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje, në njoftim Dogana potencon në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të vazhdojë të ushtroj kontrolle në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj , me qëllimin e vetëm parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Dogana e Kosovës fton qytetarët të njoftojnë secilin rast të sjelljes jo etike të zyrtarëve doganor në numrin e telefonit 080050095.