Millorad Dodik dhe ekipi i tij, duke iu drejtuar turmës të mërkurën, Foto: REL

Dodik nga Banja Lluka: Kjo është fitore e Amerikës në të cilën ne besojmë

Presidenti i Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodik, u është drejtuar qytetarëve para pallatit të Republikës Sërpska në Banja Llukë, pas fitores së shpallur nga Trump.

Krah tij ishte anëtarja serbe në Presidencën e Bosnje-Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, dhe ministri i Energjisë dhe Minierave në Republikën Sërpska, Petar Gjokiq.

“Kjo është fitore e Amerikës në të cilën ne besojmë, e Amerikës që është për paqen,” ka thënë Dodik në një fjalim të shkurtër para pallatit.

Të pranishmit janë parë duke mbajtur flamuj të Republikës Sërpska, Serbisë dhe Rusisë.

Mbështetësit e Dodikut me flamuj të Serbisë e Rusisë në duar, Foto: REL

Dodik është prej kohësh nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ai është futur në listën e zezë amerikane prej vitit 2017 për “pengimin e zbatimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit”, e cila u ka dhënë fund luftimeve në Bosnje më 1995.

Ai është goditur me sanksione të reja në janar të vitit 2022.

Kandidati i republikanëve për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i është afruar fitores në zgjedhje, pasi ka siguruar 267 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t’u shpallur president.

Ai e ka shpallur veten fitues para mbështetësve në Florida, por ai nuk është shpallur fitues zyrtarisht. Numërimi i votave po vazhdon.

Në garën e 5 nëntorit ishin demokratja Kamala Harris, aktualisht nënpresidente, dhe republikani Donald Trump, president nga viti 2017 deri më 2021.

Zgjedhja e Amerikës do t’i formësojë padyshim politikat globale, në kohën kur bota përballet me tensione në rritje dhe sfida komplekse të sigurisë./REL