Milorad Dodik. Foto: Anadolu.

Dodik: Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë do të jetë si Republika Srpska

Presidenti i Republika Srpska (RS) Milorad Dodik ka deklaruar në një intervistë dhënë mediumit boshnjak Vijesti se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ia doli që ta kthejë çështjen e Kosovës nga një pozicion humbës në agjendë dhe në qendër të interesit.

“Vuçiq po përpiqet t’i bashkojë të gjithë dhe ta udhëheqë një dialog publik. Problemi kryesor i humbjes së Kosovës dhe statusit të saj aktual është momenti kur autoritetet e mëparshme të Serbisë janë dakorduar për transferimin e marrëveshjes nga kompetenca e Kombeve të Bashkuara (OKB) në kornizën e Bashkimit Evropian (BE). Edhe atëherë është marrë vendim që mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare lidhur me statusin e Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë të shpallet i pavlefshëm”, tha ai.

Dodik tutje shton se kërcënimet nga perëndimi janë shtuar dhe pozita e Gjermanisë është forcuar.

“Gjermania, e cila është antiserbe në atë pjesë të Ballkanit. Gjithmonë ka qenë antiserbe, jo racionale, realiste dhe gjithmonë kundër serbëve. E njëjta gjë po ndodh edhe tani me rastin e Kosovës”, shtoi Dodik.

Për më tepër, ai theksoi se nëse plani franko-gjerman refuzohet, atëherë ai duhet të refuzohet nga qeveria dhe opozita, si dhe nga shoqëria në tërësi.

Gjithashtu, nëse e pranojmë, atëherë duhet ta pranojmë të gjithë.

Kur flet për Bashkësinë e Komunave Serbe, Dodik vëren se është mirë që flitet për Republika Srpska, por shqiptarët shpesh thonë se nuk e duan një Republika Srpska në territorin e Kosovës.

“Është shumë mirë që thonë kështu, sepse një ditë do të jetë si Republika Srpska. E kam fjalën këtë në kuptimin thelbësor. Ajo do të quhet Bashkësia e Komunave Serbe dhe do të ketë funksione ekzekutive të qeverisë siç i ka Republika Srpska dhe marrëdhënie të veçanta me Serbinë siç ka Republika Srpska. Ky është një problem për ta dhe e gjithë historia qëndron në këtë”, ka përfunduar Dodik, raporton Vijesti.ba

 

Përgatiti: Nuhi Shala