"Do të sjell armë nëse fëmijët e mi duhet të vendosin maska në shkollë", kërcënimi i një gruaje në Virxhinia

Një gruaja nga Virxhinia po akuzohet për kërcënimin se do të sjell armë në shkollë nëse do të vendoset që të jetë obligative për fëmijët vendosja e maskave.

Në një mbledhje të bordit mbi strategjitë e parandalimit të përhapjes së COVID-19, gruaja tha: “Fëmijët e mi nuk do të vijnë në shkollë me maska”.

Ajo u akuzua për kërcënim në pronën e shkollës pasi u tha anëtarëve të bordit lokal se do të sillte “çdo armë të mbushur” nëse distrikti vendoste për vendosjen e maskave, raporton The Guardian.

Vendosja e maskave u ndërpre këtë muaj pasi guvernatori i ri republikan i Virxhinias, Glenn Youngkin, lëshoi ​​një urdhër ekzekutiv duke i bërë maskat opsionale për nxënësit, në varësi të preferencës së prindërve.

Në Luray, një qytet i vogël në Luginën Shenandoah, vendimi i guvernatorit nxiti një takim të posaçëm të bordit mbi strategjitë e parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Në takimin e së enjtes, Amelia Ruffner King, 42 vjeç, u tha anëtarëve të bordit të shkollës: “Nuk ka vendosje të maskave, fëmijët e mi nuk do të vijnë në shkollë të hënën me maska. Kjo nuk do të ndodh.”

Ajo vazhdoi: “Dhe unë do të sjell çdo armë të mbushur dhe gati”, para se të ndërpritej.

“Këto janë tre minuta,” tha një zyrtar i shkollës.

Fillimisht, policia tha se kishte shtuar sigurinë në shkolla, por nuk bëri asnjë arrestim.

Deklarata e Ruffner King “shkaktoi absolutisht alarm publik”, tha policia, duke shtuar se ajo “kontaktoi forcat e rendit për të kërkuar falje”.

“Kemi qenë në kontakt me prindin që ka bërë deklaratën, ajo po bashkëpunon me forcat e rendit”, tha policia. “Kjo ngjarje është ende nën hetim.”

Policia më vonë akuzoi Ruffner King dhe e liroi atë me një garanci prej 5 mijë dollarësh.

Pas takimit, mbikëqyrësi i shkollës Antonio Fox tha në një letër: “Shkollat ​​publike të qarkut Page nuk i marrin lehtë këto lloj deklaratash.”

Më vonë atë mbrëmje, anëtarët e bordit votuan për të kaluar nga vendosja obligative e maskave në vendosjen e maskave si opsion, varësisht prej fëmijëve dhe prindërve të tyre.

Vendimi u mor përkundër paralajmërimeve nga mbikëqyrësi se pa maska, më shumë nxënës mund të detyrohen të karantinohen nëse një nxënës konstatohet se është i infektuar.