Do të kemi sezon turistik veror, premton BE-ja

Komisioni Europian tha se do të propozojë hapjen graduale të kufijve të BE-së, për t’i dhënë shtytje industrisë së turizmit, e cila është goditur rëndë nga pandemia e coronavirusit.

Në përpjekje për të frenuar përhapjen e sëmundjes, Bashkimi Europian i ka mbyllur kufijtë në muajin mars, përfshirë edhe zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

“Mesazh i yni është se ne do të kemi sezon turistik këtë verë, qoftë me kufizime apo me masa të sigurisë”, tha komisionari për Ekonomi i BE-së, Paolo Gentiloni.

Duke folur në një intervistë për gjashtë gazeta evropiane, Gentiloni tha se industria e turizmit në Europë përballet me një humbje prej 40% të aktivitetit të saj.

Shtetet veç e veç kanë nisur të rihapin kufijtë.

Austria dhe Gjermania janë dy vendet e fundit të BE-së që janë pajtuar për heqjen e kufizimeve në udhëtim.

Nga e premtja, në vendkalimet e tyre kufitare do të ketë kontrolle, ndërsa nga 15 qershori do të rinisë lëvizja e lirë.

“Duam t’ua lehtësojmë jetën e përditshme qytetarëve tanë dhe të ndërmarrim një hap tjetër drejt normalizimit”, tha kancelari austriak, Sebastian Kurz./REL