Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

DNV: Tre për qind e vendvotime janë hapur me vonesë

Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) ka njoftuar të dielën se në bazë të të dhënave që posedon 97 për qind e vendvotimeve janë hapur me kohë ndërsa 3 për qind, pas orës 7 e 15 minuta.

Në Kosovë të dielën po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Tre për qind e vendvotimeve janë hapur pas orës 7:15. Në këto vendvotime kemi pasur vonesa të materialeve. Vonesa të fletvotimeve me kusht gati në 6 për qind të vendovimeve. Ka pasur mungesë të vulave, listave të votuesve dhe të sprejit në 3 për qind. Këto kanë ndikuar që kjo përqindje e vendvotimeve të hapet me vonesë”, ka thënë në një konferencë për media, Ismet Kryeziu nga DnV.

Demokracia në Veprim ka angazhuar 500 vëzhguesë në tërë territorin e Kosovës, të cilët mbështeten nga 50 ekipe mobile dhe 60 vullnetarë.

Më herët, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka njoftuar se procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare është duke u zhvilluar me rregull dhe se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë.

Kryeziu tha se prania e materialit propagandues, në 100 metra nga vendvotimet, vazhdon të jetë prezent në 1 për qind të vendvotimeve. Prania e një materiali të tillë është e ndaluar me ligj, prandaj ai u bëri thirrje partive politike dhe menaxherëve të qendrave të votimit që të largojnë këto materiale.

Në lidhje me respektimin e masave kundër pandemisë, Kryeziu bëri të ditur se në 95 për qind të vendvotimeve po respektohet këto masa, por, sipas tij ka një përqindje ku nuk po respektohet masat.

“Në 5 perqind ju bëjmë thirrje të përdorin pajisjet dhe qytetarëve të mbajnë distancën dhe maskat”, tha Kryeziu.

Në këto zgjedhje, sipas DNV-së, ka rënie të pjesmarrjes së grave në Këshillat e vendvotimeve. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 kishte 35 për qind gra ndërsa kësaj rradhe kjo shifër është 31 përqind.

DNV bën të ditur se 30 për qind e qendrave të vendovimeve nuk respetojnë kushtet minimale per personat me aftesi te kufizuara.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1.794.862 qytetarë, të cilët do të mund të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2.382 vendvotime në 38 komunat e Kosovës. Këtë vit, KQZ-ja ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut. Në këto zgjedhjet është thënë se do të votohet vetëm me dokumente të Kosovës.

KQZ ka certifikuar 28 subjekte politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës: 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare./REL