ARKIV - Votimet në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale - Foto: Atdhe Mulla

DNV me 72 vëzhgues të angazhuar për fushatën elektorale

Koalicioni i OJQ-ve ‘Demokracia në Veprim’ në një konferencë për media kanë bërë të ditur se do të monitorojnë procesin e fushatës elektorale të partive politike të cilat garojnë për zgjedhjet e 6 tetorit.

Ismet Kryeziu, përfaqësues i OJQ-ve ‘Demokracia në Veprim’ tha se do të angazhojnë 2900 vullnetarë që të ndihmojnë gjatë fushatës zgjedhore. Poashtu Kryeziu tha se kanë mobilizuar 72 vëzhgues për të përcjellë aktivitetet e subjekteve politike.

Kryeziu bëri të ditur se gjatë fushatës zgjedhore 72 vëzhgues do të angazhohen që të përcjellin aktivitetet e subjekteve politike përfshirë shpenzimet e tyre gjatë fushatës zgjedhore 10 ditëshe në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

“Do  të bëjmë monitorim të shpenzimeve të subjekteve politike, monitorim të programeve të tyre, rrjeteve sociale. Gjithashtu kërkojmë rritjen e transparencës, respektimin e kodit zgjedhor për të garantuar një garë fer dhe demokratike”, ka thënë Kryeziu.

Ai tha se DNV kërkon nga partitë politike të respektojnë kodin e mirësjelljes për një fushatë të barabartë, fer dhe demokratike, gjithashtu të mos shfrytëzojnë resurset publike për qëllime të fushatës zgjedhore.

“Të mos përdorin veturat zyrtare, të shmangin fëmijët në tubime publike, hapësirat publike të materialeve ose pankartave. Grave dhe personave me aftësi të kufizuar t`u mundësohet  jo vetëm të jenë pjesë e fushatave por edhe të angazhohen në aktivitetet e tyre parazgjedhore qoftë si kandidatë apo pjesëmarrës”, tha ai.

“KQZ dhe partitë politike të fillojnë  të angazhohen në edukimin e mirëfilltë të votuesve duke synuar ngritjen e vetëdijes dhe ofrimin e informacioneve të sakta se si të votohet në ditën e zgjedhjeve. Me informimin potencialisht të votave të pavlefshme se si duhet të votojnë në mënyrë të duhur për të minimizuar votat e pavlefshme. DNV fton të gjitha institucionet që të  garantojnë një proces zgjedhor të drejtë në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të shfaqin vullnetin e tyre lirshëm dhe pa frikë”, tha Kryeziu.

Ai tutje tha se “Duhet të përfshihen qytetarët në debate, dhe kërkoi nga të gjitha institucionet dhe të sigurisë që të garantojnë të gjithë qytetarët të përfshihen dhe të jenë të sigurtë që të votojnë në mënyrë demokratike dhe për të  garantuar atmosferë të qetë parazgjedhore”.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen të delen e 6 tetorit, ndërsa në garë elektorale janë gjithsej 25 parti politike dhe një kandidat i pavarur.