Qeveria

foto; Denis Sllovinja

DnV kërkon nga Qeveria t’i rishqyrtojë masat anti COVID-19

Rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka reaguar pasi ekzekutivi kosovar sot nxori masa të reja për pandeminë.

Në një reagim publik, DnV ka kërkuar që Qeveria e cila udhëhiqet nga Avdullah Hoti t’i shqyrtojë masat e reja.

“DnV shpreh shqetësim për vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për lehtësimin e masave anti-Covid në një kohë kur numri i personave të infektuar me Covid-19 është në rritje të vazhdueshme dhe kur masat parandaluese paraprake janë shkelur në pothuajse të gjitha aktivitetet zgjedhore të subjekteve politike”, thuhet në reagimin e rrjetit të OJQ-ve.

“Për më tepër, vendimi i Qeverisë është kontradiktor me vendosjen e masave të reja ndaj qytetarëve të Kosovës, (përfshirë edhe ata me vendbanim në një shtet tjetër), të cilët gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin testin negativ RT-PCR të bërë më së largu 72 orë ose në të kundërt të vetizolohen për 7 ditë”, thuhet tutje në njoftim.

DnV ka potencuar se masat e reja që ndërmori Qeveria e Kosovës janë në kundërshtim edhe me rekomandimet e ekspertëve të fushës.

“Nga një anë ka lehtësim masash ndërsa në anën tjetër të njëjtat bëhen me strikte duke diskriminuar qytetarët e Kosovës që vijnë nga jashtë. Duke e ditur që shumë qytetarë me të drejtë vote janë nisur drejt Kosovës, kjo masë e re e Qeverisë e paralajmëruar me vonesë, mund të cënojë të drejtën kushtetuese të qytetarëve të Kosovës për të votuar.  DnV kërkon nga Qeveria që të rishqyrtojë të gjitha masat e reja anti-Covid të cilat janë gjithashtu në kundërshtim edhe me rekomandimet e ekspertëve të fushës”, thuhet në fund të reagimit.

Zyrtare, Qeveria bën publike masat e reja anti- COVID-19

www.kallxo.com