DnV kërkon nga partitë ta respektojnë kuotën gjinore në komisionet zgjedhore

Koalicioni i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” ka mbajtur konferencë për media lidhur me afatet kohore, organizimin dhe menaxhimin e procesit zgjedhor.

Respektimi i kuotës gjinore në komisionet zgjedhore, listat e barabarta të partive politike, pastrimi i listave dhe edukimi i votuese, ishin katër elementet, për të cilat “Demokracia në Veprim” pati thirrje për subjektet politike gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Ismet Kryeziu nga “Demokracia në Veprim”, tha se kanë filluar përgatitjet dhe aktivitetet e monitorimit që lidhen me situatën parazgjedhore.

“Jemi duke monitoruar nga afër punën e KQZ-së që ka shpallë planin e punës. Partitë nuk iu përmbajtën deklaratës së vitit 2017 dhe kishim vetëm një numër minimal të grave në komisionet komunale zgjedhore. Deri në 9 për qind ishte pjesëmarrje e grave në proces zgjedhor. Partitë politike duhet të kalojnë në veprime për sigurim të barazisë gjinore”, tha ai.

Gjithashtu, ai u bëri thirrje subjekteve politike që të garantojnë lista zgjedhore 50-50.

“Të përfshihet kuota gjinore. Partitë në listat e tyre të ofrojnë mundësi të barabarta. Kualiteti i punës në Kuvend është rritur për shkak të përfaqësimit gjinor. Ne shtyjmë idenë që cilësia e përfaqësimit do të rritet duke pasur mundësi të barabarta”, theksoi Kryeziu.

Sa i përket pastrimit të listave, Kryeziu shtoi se nuk ka pasur përkushtim të mjaftueshëm që emrat e personave të vdekur të hiqen nga listat e votuesve.

“Ne si qytetarë mund t’i sfidojmë këto lista. Pa angazhimin qytetar nuk mund të garantojmë një efikasitet të procesit zgjedhor. Të interesohemi për anëtarë tonë të familjes që kanë vdekur, e që vazhdojnë të jenë në lista, duke kërkuar që të hiqen nga to”, shtoi ai.

Edukimi i votuesve është çështja tjetër për të cilën “Demokracia në Veprim”, ka kërkuar që të ketë fushatë më efektive.

“Në zgjedhjet e kaluara ka pasur një numër të konsiderueshëm të fletëvotimeve të pavlefshme. Kjo ka ardhur si pasojë e një fushate jo të mirë të partive politike gjatë fushatës, për të njoftuar se së pari duhet të votohet partia dhe më pas kandidatët. Edhe subjektet politike, por edhe KQZ-ja ka përgjegjësi për edukimin e votuesve”, theksoi Ismet Kryeziu.