Drjetoresha e Arsimit të Gjilanit, Albana Demiri në Komisionin Hetimor parlamentar, Foto: KALLXO.com

DKA në Gjilan: I patëm vetëm dy raste të problemit me subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore

Në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore për nxënësit e Arsimit Fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024 u intervistua si dëshmitare, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjilanit, Albana Demiri.

Në intervistën e saj para komisionit, drejtoresha Demiri tha se vetëm dy nxënës nga klasa 1 deri 9 kanë adresuar në Drejtorinë e Arsimit në Gjilan që kanë pasur probleme me procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore.

“Tek ne në DKA janë të adresuar vetëm këto dy raste, që jam marrë personalisht me ta, do të thotë nuk kemi adresime të tjera me problematika të tilla të nxënësve tjerë që nuk kanë qenë të furnizuar me libra ose diçka e tillë” – ka treguar drejtoresha Demiri.

Sipas drejtoreshës Demiri, për këto dy raste që janë adresuar në DKA Gjilan, ata i kanë njoftuar Ministrinë e Arsimit.

“Tek dy raste që janë adresu për problematika me sistemin, do të thotë që nuk po munden m’u kalu mjetet. Është informu nga zyrtari përgjegjës i DKA-së, Ministria e Arsimit edhe rasti i parë thashë ka pas problematika me dokumentacion edhe rasti i dytë problematika të ngjashme, po e di që mandej është bërë zgjidhja” – ka thënë Demiri.

Kur u pyet se kur kishte përfunduar furnizimi i plotë me literaturë i nxënësve nga klasa 1 deri 9, drejtoresha Demiri tha se në fillimin e vitit më 10.09.2023 dhe 15.09.2023 afërsisht 90% e nxënësve kanë qenë të pajisur me tekste shkollore, ndërsa 10% i mbetur është kompletuar javën e parë të muajit tetor, 2023.

Për dy rastet që janë adresuar në DKA Gjilan se kanë pasur probleme me procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, deputeti Ardian Kastrati e ka kritikuar Demirin duke i thënë se ka pasur raste që i ka parë në media, intervista të qytetarëve që janë ankuar në Gjilan që nuk i kanë të gjitha tekstet shkollore.

“Vetëm me hy në portale, vetëm mediat, vox-pop m’i pa njerëzit nëpër rrugë sa kanë jep përgjigje, jo vetëm në Gjilan, po gjithkah, s’është e vërtetë që dalin dy, dalin shumë e shumë e shumë. D.m.th ti po jeton me një planet tjetër atje në Anamoravë, e këta tjerët në Dukagjin, Drenicë e rrafshin e Kosovës me një planet tjetër” – ka thënë Kastrati.

Tutje, drejtoresha Demiri ka treguar se kanë pasur mungesë dhe tepricë të disa librave të caktuar.

“Disa tekste shkollore të shkencave të natyrës ka ndodhë që ka pas deficit, mungesë, ndërsa disa të tjera shumë tepricë si p.sh shkencave shoqërore” – tha Demiri.

Ajo ka njoftuar se për klasat 6-9 janë përdorur librat e vitit të kaluar e librat të dëmtuara aktualisht, sipas raportimeve të shkollave, Demiri tha se nuk kanë pasur.

Drejtoresha Demiri vlerëson se metoda e furnizimit me tekste shkollore e aplikuar për vitin 2023/2024 nga Ministria e Arsimit, përmes subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore është më e mirë edhe pse njoftimin me vonesë se do të aplikohet kjo metodë e kanë pasur shqetësim.

“Furnizimi me libra i formës së re është më e mirë duke e pas parasysh kursimin edhe shmangien e librave tepricë ose stoqeve të krijuara brenda shkollave tona” – ka thënë ajo.

Para intervistimit të drejtoreshës Demiri, në Komisionin Hetimor Parlamentar u intervistua drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumanova-Baçi.

Ndërkaq, intervistimi i drejtoreshës Demiri ishte planifikuar të ndodhte më 23.07.2024, por nuk kishte kuroum të Komisionit Hetimor Parlamentar.

Komisioni Hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore përbëhet nga: Shemsedin Dreshaj (kryesues), Ardian Kastrati (zëvendëskryesues) dhe anëtarët – Armend Muja, Arjeta Fejza, Mefail Bajqinovci, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, Arbër Rexhaj, Bekim Haxhiu, Vlora Dumoshi, Agim Veliu, Duda Balje.

Të pranishëm nga Komisioni Hetimor Parlamentar në intervistimin e drejtoreshës Albana Demiri ishin: Shemsedin Dreshaj, Agim Veliu, Arbër Rexhaj, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, Arjeta Fejza, Ardian Kastrati dhe Armend Muja.

Sipas Komisionit Hetimor Parlamentar intervistimit në cilësinë e dëshmitarëve për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore për vitin shkollor 2023/2024, u janë përgjigjur 14 drejtori komunale të Arsimit.

Më 23.07.2024 nga Komisioni Hetimor Parlamentar u intervistua drejtori i Arsimit të Ferizajt, Afrim Llabjani dhe drejtoresha e Arsimit të Prizrenit, Luljeta Veselaj- Gutaj.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci më 21.08.2023 kishte mbajtur një konferencë për media ku kishte treguar se po e shqyrtojnë mundësinë që paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’ua transferojnë drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova me qëllim të rritjes së transparencës për shpenzimin e parasë publike