Spitali modular, që u dogj në Tetovë. Foto: Radio Evropa e Lirë

Djegia e spitalit modular në Tetovë, raporti gjerman në duart e prokurorëve

Raporti i ekspertëve gjermanë për djegien e spitalit modular në qytetin e Tetovës gjatë ditës së sotme, i përkthyer në gjuhën maqedonase ka arritur në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë.

I njëjti është duke u shqyrtuar nga 5 prokurorë, gjegjësisht po shqyrtohet nëse faktet dhe argumentet në raport përputhen me ato që hetuesit vendas kanë mbledhur në terren.

Nga Prokuroria për TV21 nuk kanë dhënë më shumë detaje në lidhje me përmbajtjen e këtij raporti, por e kanë konfirmuar se i njëjti i përkthyer tashmë është në duart e tyre, gjatë ditëve në vazhdim nga ana e Prokurorisë pritet të shihet nëse do të ketë edhe përgjegjësi penale ndaj personave që kanë qenë përgjegjës për spitalin modular në Tetovë.

Raporti i ekspertëve gjermanë në Maqedoninë e Veriut ka arritur para një jave, ndërsa i njëjti përbëhet prej 7 fletëve.

Ndryshe, spitali modular në Tetovë ishte kapluar nga flakët më 8 shtator të vitit 2021, ndërsa si pasojë e zjarrit jetën e kanë humbur 14 pacientë, kurse 12 të tjerë kanë mbetur të lënduar./TV21