Foto: Alban Selimi / Facebook

Djegia e garazhës së gazetarit, 30 ditë paraburgim për të dyshuarin

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit të dyshuarit me iniciale A.L., për djegien e garazhës së gazetarit të RTK-së, Alban Selimit.

Këtë e ka konfirmuar Gjykata përmes një komunikate.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër  të pandehurit A.L e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit  i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Gjyqtari i procedurës paraprake me rastin e caktimit të paraburgimit ka vlerësuar se nëse i pandehurit A.L  gjendet në liri, ekziston rreziku potencial i arratisjes dhe ikjes së tij dhe mund  të pengon sigurimin e prezencës së tij në procedurën penale” – thuhet në komunikatë.

Sipas vlerësimit të gjykatës, personi dyshohet se ka kryer dy vepra penale: kanosje dhe zjarrëvënie.

“Gjykata ka vlerësuar se duke pasur parasysh karakteristikat e tij personale, pasi që i pandehuri A.L është recidivist i gjykuar dhe i dënuar me aktgjykime të plotëfuqishme për vepra të ndryshme penale, ekziston rreziku se i pandehuri po të gjendet në liri, do të përsëris veprat penale apo do të kryej veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej” – thuhet në njoftimin për media të Gjykatës.

Djegia e garazhit të gazetarit të RTK-së, Alban Selimi, ka ndodhur në mbrëmjen e 16 marsit.

Ai e ka konsideruar këtë si tentim për ta frikësuar.

Dy ditë pas, policia ka arrestuar një person në cilësinë e të dyshuarit për veprën penale “Zjarrvënie”.

Lidhur me këtë rast pati reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Djegia e garazhit të gazetarit të RTK-së, policia arreston një të dyshuar