
Foto: REL
Djali ukrainas që i mbijetoi djegies së 80% të trupit si pasojë e një sulmi ajror (VIDEO)
Një djalë 8-vjeçar, i cili ka pësuar djegie të 80 për qind të trupit të tij si pasojë e një sulmi ajror, është kthyer në shtëpinë e tij, pasi i është nënshtruar më shumë se 30 operacioneve në Gjermani.
Roman Oleksiv është plagosur dhe nëna e tij është vrarë nga një sulm rus me raketa në qytetin qendror ukrainas Vinitsja, në korrikun e vitit 2022.
Në një intervistë me Radio Evropa e Lirë, Roman rrëfen se si kishte ndodhur sulmi.
“Shpërthimi më përplasi në një mur. U ngrita dhe pashë se gjithçka ishte në flakë. Ishte gjithçka zi. Arrita të shihja vetëm daljen. Shikova përreth dhe fillova të lëviz. Nuk mund ta ndjeja krahun e majtë dhe këmbën e djathtë”- shpjegon ai.
Romani i thotë se një kalimtar i ndihmoi pas sulmit.
“Dola jashtë, ku më mori një burrë dhe më dërgoi në spital. Atje më pyetë për adresën. E mbaja në mend. Në spital më çuan me autoambulancë. Atje më dhanë qetësues”- thotë ai.
Babai i Romanit, Yaroslavi thotë se djali i tij kaloi 99 ditë nën kujdesin intensiv dhe se dy javë pas shtrimit në spital, u hoq nga ventilatori pasi mund të merrte frymë vet.
“Ai kaloi 99 ditë në kujdesin intensiv. Dy javë pas shtrimit në spital, atë e hoqën nga ventilatori, sepse mund të merrte frymë vetë. Ai madje tha diçka, por unë nuk mund ta kuptoja fillimisht, por ishin shenja të mira”- është shprehur Yaroslavi.
Sipas tij, trajtimi do të zgjasë me vite, e do të ketë operacione të tjera, por ai ka shpresë që gjithçka do të jetë mirë.
Sulmi ajror i korrikut në Vinitsja vrau 28 persona, përfshirë tre fëmijë.
Trupi i nënës së Romanit u identifikua nga një test ADN-je, tri ditë pas sulmit./REL