Malush Muhaxheri familjar i një prej viktimave të COVID-19, Foto: KALLXO.com

Djali i viktimës së COVID-19: Nëna më vdiq sot e unë sot e mora vesh që ka qenë e infektuar - VIDEO

Malush Muhaxheri nga Komuna e Ferizajt, sot po qëndronte para Klinikës së Pulmologjisë dhe priste ekipin e funeraleve, për të tërhequr nga klinika trupin e nënës së tij e cila kishte ndërruar jetë sot rreth orëve të pasdites.

Familjarët e kuptojnë pas vdekjes se nëna ishte e prekur nga Coronavirusi

Familjarët e kuptojnë pas vdekjes se nëna ishte e prekur nga Coronavirus

Publiée par Kallxo.com sur Jeudi 16 juillet 2020

Muhaxheri i mllefosur rrëfen se nëna e tij që nga data 6 korrik është në Klinikën e Pulmologjisë dhe sot pas vdekjes së saj i është kumtuar lajmi se ka qenë e infektuar me coronavirus.

“Prej datës 6 nana është këtu në Klinikën e Pulmologjisë, edhe në momentin që ka vdek na kanë kallxu që ka qenë pozitiv me COVId-19”, rrëfen Muhaxheri i rrethuar nga familjarët e tij të cilët kishin ardhur për të tërhequr trupin e nënës së tyre.

Ai thotë se gjatë gjithë kohës sa nëna e tij ka qëndruar në Klinikën e Pulmologjisë është pajisur me barna të cilat janë blerë nga familjarët.

“Prej fillimit krejt ne barnat dhe me mjete tona me financim tonin. Barna për qetësim, ineksione të gjitha këto. Personalisht ne i kemi pagu edhe infuzionet edhe ineksionet. Nuk e di çfarë mjekësie është kjo, në momentin e fundit ku ndërron jetë një person me thanë është pozitiv. Ne ju kemi lut veç tregona, në çoftëse është pozitiv, sa të thotë zoti me rrnu le të rroj, mos ta presin momentin e fundit me me tregu që ka vdek prej COVID-19”, shton Muhaxheri.

Ai tutje thotë se nëna e tij ka qenë duke u trajtuar me oksigjenoterapi.

“Nana ka qenë duke u trajtuar edhe me oksigjen. Mjekësia është katastrofë, infermieret kanë qenë shumë të mira dhe të kujdesshme. Në Ferizaj e kanë qu në spital e kanë shti në oksigjen edhe prej atëherë ju ka përkeqësu gjendja mbrëmë kemi shku me taku për dritare kemi bisedu. Prej asaj dite që e kanë pru në Prishtinë gjendja e nënës ka qenë e keqësuar. Krejt familjarët jemi përkujdes, për ushqim, për oksigjen për barna, nër 50 euro në ditë nuk kemi mbet pa i hargju veç për barna”, shton ai.

Klinika e Pulmologjisë po trajton më shumë se 50 pacientë të infektuar me COVID-19.

Një pjesë e pacientëve po trajtohen me oksigjenoterapi për shkak të gjendjes së rënduar nga infektimi me coronavirus.

Në Kosovë, me statistikat e fundit numri i rasteve pozitive është 5 mijë e 369 raste pozitive nga 29 mijë e 546 persona të dyshimtë me COVID-19.

Numri i vdekjeve është rritur, pra në total janë 118 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.