Ilustrim

Djali i të infektuarit me COVID-19 rrëfen paragjykimet nga fshatarët, pretendon se informatat dolën nga QKMF

Qytetarët të prekur me COVID-19 përveç shëndetit ata po ekspozohen edhe para rrezikut për të drejtën për privatësi.

Javën e kaluar një person nga fshati Vërban i komunës së Vitisë ka rezultuar pozitiv më COVID-19. I biri i të infektuarit po pretendon se po ndjehen të paragjykuar nga bashkëfshatarët pasi kuptuan se është i infektuar me coronavirusin e ri. Ai për këtë e fajëson institucionet shëndetësore.

Ai ka deklaruar për KALLXO.com se kjo ka ndikuar negativisht, veçanërisht sidomos në biznesin që kanë.

“Para dy ditëve baba jem ka dal pozitiv me COVID-19, edhe ka ardhë administratori i fshatit i ka thanë që kemi degju qe je infektu, ruju e mos dil. E kanë kuptu edhe banorë të tjerë. Po dyshoj që të dhënat janë përhap prej drejtoreshës së Spitalit, ajo i ka tregu Komunës e pastaj e kanë informu edhe kryetarin e fshatit. Pas dy jave nashta ai [babai] del negativ, njerëzit kanë me vazhdu me u frigu prej tij. Na shesim produkte të bujqësisë edhe njerëzit frikohen edhe me i ble nga ne. Koxha dëm na është shkaktu”, tha qytetari.

Lidhur me këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar me drejtoreshën e QKMF-së, Komunën e Vitisë dhe administratorin e fshatit. Të njëjtët kanë mohuar të kenë shpërndarë identitetin e personit në fjalë.

Vjollca Kadolli, drejtoresha e QKMF-së në Viti, ka deklaruar se informacioni ka rrjedhur nga ajo, por që nuk e mohoi se identiteti i të infektuarve mund të qarkullojë nga persona të tjerë.

“Informata që vijnë, shkojnë vetëm të kryetari i Komunës nga IKSHPK-ja. Ato informata pastaj na kalojnë neve, mirëpo i merr edhe inspektorati sanitar që i tregon personit që nuk bën me dal. Vitia është vend i vogël edhe normal që mundem me qarkullu informatat por të paktën zyrtarisht asnjëherë nuk del informata. As në mbledhje me staf unë nuk e informojë askënd me emër as me mbiemër vetëm p.sh. e kemi rastin në Vërban”, tha ajo.

Kurse, Zyra për Informim në komunën e Vitisë ka potencuar se informacioni që një person është i prekur me virus dërgohet edhe tek kryetari i këshillit të fshatit, për të pyetur lidhur me dërgimin e pakove ushqimore dhe hixhenike.

Sipas tyre, në këto raste gjithmonë njoftohen kryetarët e këshillave se këto të dhëna janë konfidenciale.

“Duke u bazuar se në menaxhimin e situatës së shëndetit publik, me virusin COVID-19 merret Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) atëherë duhet pasur parasysh se për secilin person është i njoftuar kjo qendër. Edhe kjo qendër duke u bazuar në ligjet në fuqi por edhe mbi të drejtat e pacientëve respekton privatësinë dhe konfiencialitetin e çdo pacienti pa marrë parasysh se me cilën sëmundje është apo dyshohet ta këtë”, thuhet në përgjigjje.

“Në çdo takim ku marrin pjesë anëtaret e KKMSH, askund nuk përmendën: emrat, mbiemrat apo çdo e dhënë tjetër personale me të cilën mund të bëhet identifikimi i personave të testuar për COVID-19. Këto të dhëna trajtohen në formë konfidenciale vetëm brenda institucioneve dhe vetëm me qëllim të menaxhimit të situatës”, thuhet mes tjerash në përgjigjen elektronike.

E njëjtë e mohoi edhe administratori i fshatit, Afrim Ramushi. Ai thotë se vetëm i ka ofruar ndihmë e në asnjë mënyrë nuk e ka shpërndarë informacionin në fshat.

“Kur më ka njoftu këshilli emergjent për me i ofru ndihmë, unë e kam thirrë e kam pyet se si e ka situatës, më ka thënë që mirë. Nuk e di unë qysh është përhapur”, tha ai.

Kujtojmë se kryeministri i vendit, Avdullah Hoti kishte paralajmëruar shqyrtimin e mundësisë që “ t’i bëjnë të ditura” rastet e infektimit me COVID-19.

Kjo ngjalli reagime në opinion në mbrojten e të drejtave të njeriut. Megjithatë, zyrtarë të qeverisë tani janë zotuar se identiteti i të infektuarve me coronavirus në Kosovë asesi nuk do të bëhet publik.

Të dhënat personale e në veçanti në situata të ndjeshme mbrohen me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Shkelja e tyre mund t’u kushtojë me gjobë institucioneve, zyrtarëve, mediave e individëve.

“Secili person gëzon të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale. Mbledhja, ruajtja, qasja, korrigjimi dhe shfrytëzimi i tyre rregullohet me ligj”, përcaktohet në paragrafin 4 të nenit 36 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo e drejtë konkretizohet me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave i cili nga fillimi i vitit 2019 është në fuqi në Republikën e Kosovës. Ky ligj është në përputhje me Rregulloren  2016/679 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të datës, 27 prill 2016, për mbrojtjen e personave fizik sa i përket përpunimit të të dhënave personale dhe qarkullimit të lirë të këtyre të dhënave”, thuhet në nenin 36 të Kushtetutës së Kosovës.

Si i tillë, ky Ligj ka ofruar përcaktime dhe përkufizime të qarta që garantojnë mbrojtjen e të dhënave personale – në veçanti, mbrojtjen e të dhënave të ndjeshme personale.

Ndër të tjera, në të dhëna të ndjeshme personale hyjnë edhe të dhënat shëndetësore.

Në disa raste është parë që kryetarët e komunave i kanë bërë vetë publike emrin dhe mbiemrin e personave të cilët kanë vdekur nga COVID-19.

Deri më tani numri i të infektuarve me COVDI-19  ka arritur në 4307, prej tyre 2095 janë shëruar dhe 95 kanë vdekur.

A do të zbulohet identiteti i të infektuarve me COVID-19 në Kosovë?