Djali i Presidentit Thaçi futet në listë për gjoba për shkelje të rregullave të pandemisë

Një varg problemesh janë shfaqur në Policinë e Kosovës kur qytetarët kishin raportuar se, në një kafeteri në lagjen Arbëria një grup prej rreth 40 personash po vazhdonin ndejën edhe përkundër që Qeveria ka marrë vendim që lokalet të mbyllen në orën 22 e 30.

KALLXO.com  mëson se në mesin e njerëzve mysafir në ndejë ishte edhe djali i Presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi.

Me datë 13 gusht qytetarët u njoftuan se djali i presidentit Thaçi kishte pësuar një aksident me makinë në orën 5 e 30 të mëngjesit. Po atë natë(12 gusht) Thaçi ishte hasur nga njësitë speciale të policisë duke qëndruar në kafeterinë “383 House” duke thyer rregullat e pandemisë.

Kallxo.com ka siguruar një listë që Policia e Kosovës i ka drejtuar Inspektoratit Komunal të Prishtinës ku emri i Endrit Thaçit është në mesin e personave që janë proceduar për ndëshkim.

Policia e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com nuk e ka mohuar se Endrit Thaçi është në listë.

“Të gjitha rastet që Policia e Kosovës i ka hapur për mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë i publikon në raportin 24 orësh të cilave mund tiu referoheni në baza ditore, përderisa në raste tjera kur është kompetencë e inspektoratit sanitar, zyrtaret policorë ju asistojnë dhe plotësojnë format e fletëparaqitjeve për inspektoratin” thuhet në përgjigjen e Policisë.

Ndërhyrja e policisë në këtë lokal erdhi pas raportimeve të qytetarëve ndërsa të dhënat tregojnë që disa ditë më parë dy polic ishin suspenduar nga puna për 72 orë për shkak se nuk ishin përgjigjur në thirrjet e qytetarëve për të ndërhyrë në grumbullimet që ndodhnin brenda kafeterive.

Në lidhje me këtë rast, KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Zyrës së Presidentit, por deri në publikim të këtij shkrimi nuk ka pasur përgjigje.