Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Djali i kryetarit të Suharekës shtiu me armë, Muharremaj thotë se ndodhi para dy viteve

Policia e Kosovës ka njoftuar se janë konfiskuar tri armë pasi tre persona kanë shtënë në ajër. Stacioni policor në Suharekë kishte pranuar një video-incizim ku të njëjtit shihen duke shtënë me armë zjarri.

KALLXO.com ka marrë informata se njëri prej të dyshuarve është djali i kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.

Kryetari e konfirmoi për KALLXO.com se njri prej tyre është djali i tij, mirëpo tha që ky incizim ka ndodhur para dy viteve.

“Aty janë kryer të gjitha procedurat dhe janë duke vazhduar, unë nuk përzihem në organet e drejtësisë dhe Prokurorisë e as të Policisë. Unë e përkrahë Policinë e Kosovës, janë procedurat e veta kështu që ky incizim ka ndodhur para dy viteve”, tha Muharremaj.

I pyetur se a ka qenë në dijeni që djali i tij mbante armë, ai tha se ajo ka qenë një armë gazi.

Muharremaj tha që ata janë marrë në pyetje dhe janë duke vazhduar procedurat edhe pse në njoftimin e Policisë nuk përmendet që të njëjtit janë intervistuar.

“Këtë vit nuk ka ndodh rasti, nuk ka shanse për arsye se ka qenë edhe djali i vëllait që është në Francë, ai këtë vit nuk ka qenë këtu”, u shpreh më tutje ai.

KALLXO.com mbrëmë ka raportuar se të dyshuarit janë identifikuar nga Policia, pasi dy prej tyre kanë komunikuar përmes telefonit dhe njëri ka njoftuar se tri armët gjenden në objektin e zdrukthëtarisë që është pronë e të dyshuarit.

Lidhur me këtë rast është kontaktuar prokurori për krime të rënda, i cili ka sugjeruar që rasti të shkojë në procedurë të rregullt.

Konfiskohen tri armë pasi tre persona kanë shtënë në ajër