Djali i kryeprokurorit të Gjakovës reagon pas dyshimeve se babai i tij shpërndau pyetjet e testit të një konkursi

Mentor Buzhala, djali i kryeprokurorit të Prokurorisë së Gjakovës, Ramiz Buzhala, i cili po dyshohet se shpërndau pyetje të testit te një kandidat për pozitën bashkëpunëtor profesional, ka thënë se babai i tij është i pafajshëm.

Ai ka thënë se babai i tij është një profesionist i jashtëzakonshëm.

“Lidhur me artikujt e fundit gazetaresk dhe pretendimet se Kryeprokurori i Gjakoves – Babi ka tentu me e favorizu një kandidat në konkursin e fundit për Bashkëpuntor Profesional, po e shfrytëzoj rastin me e shpreh mendimin tim dhe bindjen që Babi n’këtë rast është më se i pafajshëm, për shumë arsye”, ka shkruar Mentor Buzhala.

“Njëra ndër to është që është një Prind i jashtëzakonshëm, një Personalitet i jashtëzakonshëm me norma t’larta t’moralit dhe poashtu po e cek që është edhe një Profesionist i jashtëzakonshëm”, shtoi më tej ai.

Mentor Buzhala në shkrimin e tij potencoi se po të kishte qenë babai i tij ndikues në konkurse, ai do ishte i kyqur në sistem të drejtësisë, duke shtuar se nga dëshpërimi po pret për vizë.

“T’kish qenë person qysh po pretendojnë mediet tona, që është person që ndikon në konkurse dhe favorizon persona t’caktum, unë sot do t’isha i kyqun lart në Sistemin e Drejtësisë, po sa për informatë, përkundër tentimeve me u kyq në Sistem (me meritokraci) nuk kam arrit dhe prej dëshpërimi sot pres Vizë për punë dhe studime për jashtë vendit edhe pse jam me Kualifikim Superior – Jurist i Diplomuar, që nga viti 2017, ata që m’njohin e dijnë që është e vërtetë”, është shprehur Buzhala.

“Pa marrë parasysh qka ndodh, unë jam Krenar me Babin, si prind dhe si profesionist dhe e kam Idol që në një të ardhme të bëhem një Prind dhe Profesionist si Babi!”, shtoi ai.


Kryeprokurori i Prokurorisë së Gjakovës, Ramiz Buzhala, mëngjesin e sotëm gabimisht i ka derguar disa pyetje që kanë qenë pjesë e testit me shkrim për bashkëpunëtorë profesionalë  ekipit të KALLXO.com.

Në momentin që kryeprokurori Buzhala merr vesh se pyetjet janë dërguar në adresë të gazetares së KALLXO.com, ai kërkon sërish fshirjen e përmbajtjes së mesazhit me pyetjet për testin me shkrim për bashkëpunëtorë profesionalë.

Buzhala nuk ka pranuar të japë përgjigje se kujt ia kishte adresuar këto pyetje, ndërsa vazhdon sërish të kërkojë që të fshihen ato.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, potencoi se lajmi i sotëm është arsye e mjaftueshme për nisje të hetimeve ndaj kryeprokurorit dhe suspendim të tij.

Shpërndarja e pyetjeve të testit nga kryeprokurori i Gjakovës, reagon Kryeprokurori i Shtetit