Djali i Enver Hoxhës ankohet tek Ambasada e Amerikës

Djali i diktatorit shqiptar, Enver Hoxha, të hënën akuzoi Qeverinë për arrogancë dhe “sjellje fashiste” pasi autoritetet dëbuan atë dhe familjen e tij nga një ndërtesë apartamentesh, raporton AP.

Ilir Hoxha, djali i madh i diktatorit, tha se autoritetet gjatë javës së kaluar i nxorën me forcë nga banesa e tyre në periferi të Tiranës pa paralajmërim. Ata nuk ishin në gjendje të merrnin gjërat e tyre, të cilat më vonë u grabitën nga njerëz të tjerë.

Në një letër të hapur drejtuar kryeministrit Edi Rama, ambasadorëve të ShBA-së dhe BE-së, Hoxha përmendi “përndjekjen e familjes së Enver Hoxhës” nga Qeveria e tashme e majtë, por edhe pas rënies së regjimit komunist, Qeveria e atëhershme dy herë i kishte dëbuar ata nga shtëpitë.

“Ne pësuam jo vetëm dëme materiale, por edhe morale sepse gjërat e shtëpive tona përfunduan në duart e njerëzve të panjohur”, tha ai.

Hoxha tha se ai do të padisë Qeverinë për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe dëmtimin moral.

Qeveria ka shembur rreth 300 ndërtesa për të bërë vend për zgjerimin e unazës së Tiranës.

Më parë nëna e Ilir Hoxhës, Nexhmija, e cila vdiq në shkurt, gjithashtu kundërshtoi prishjen e banesës së tyre.

Enver Hoxha qeverisi Shqipërinë me një grusht të hekurt nga viti 1944 deri në vdekjen e tij më 1985, pesë vjet para se një revoltë studentore të rrëzonte regjimin komunist.

Hoxha ka dy djem dhe një vajzë.