Djali i dajës se Dardan Krivaçes jep dëshmi para gjykatës

Endrit Puka, djali i dajës së Dardan Krivaçes, doli sot para gjykatës për të dhënë versionin e tij lidhur me ngjarjen tragjike.

Krivaça hodhi akuza mbi Pukën se ky i fundit ka pas raport me të ndjerën Marigona Osmani.

“Arsyeja pse e kam propozu si dëshmitar është se i pandehuri Arbër në deklaratën e tij ka thënë se arsyeja pse e ka vra Dardani, Marigonën është tradhtia” – tha prokurori Avdiu në seancë.

Dëshmitari Puka i mohoi të gjitha pretendimet e tyre, duke shtuar se ai nuk di asgjë për rastin.

Ndër të tjera dëshmitari deklaroi se gjatë kohës që ishin duke bashkëjetuar tani i akuzuari Dardan me të ndjerën, asnjëherë nuk e ka vizituar banesën e tyre.

Ndërsa i akuzuari Dardan Krivaça ballafaqoi dëshmitarin me një telefonatë të tyren, ku sipas të akuzuarit tani e ndjera e ka pranuar faktin që kanë pasur marrëdhënie dhe e ka akuzuar dëshmitarin për këtë fakt.

“Para se me vdek e ndjera, me datë 21 gusht unë e kam thirr në telefon me video, ku e ndjera e pranon dhe e akuzon drejtpërdrejt në telefon se sa herë unë kam dal prej shpie, ky ka ardh në shpi dhe kanë kry marrëdhënie, unë juve po ju pyes pse e ndjera Marigona ju ka akuzu juve kur ju po thoni se asnjëherë nuk keni qenë në banesën time” – tha i akuzuari Krivaça në seancë.

Përveç kësaj, i akuzuari Dardan Krivaça deklaron se dëshmitari është personi që i ka shkatërruar jetën.

“Ky është personi që më ka shkatërru jetën” – tha i akuzuari Krivaça.

Pretendime të cilat, dëshmitari i mohoi menjëherë.

“Ky që po thotë ka pamje, le ta dëshmon, unë iu qëndroj mbrapa fjalëve, unë nuk di kurgjo për këtë rast, as pse ka ndodh, as qysh ka ndodh” – i’u përgjigj dëshmitari të akuzuarit Krivaça.

Ky gjykim do të vazhdohet edhe nesër, ku do të dëgjohen dëshmitë e mjekut kujdestar i cili ka punuar në emergjencë në kohën kur ishte dërguar e ndjera në spital dhe gjithashtu do të dëgjohet eksperti mjekoligjor.

Ashtu siç ka raportuar KALLXO.com, ka filluar gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e Marigona Osmanit, rast që tronditi tërë opinionin publik.

Në seancën e kaluar është dhënë fjala hyrëse dhe të akuzuarit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu u deklaruan se nuk ndihen fajtor për veprën që prokuroria po i akuzon me të.

Ku prokuroria shprehi pretendimet e veta se do të vërtetohet gjendja faktike si në aktakuzë dhe do të provohet që rasti makabër ka ndodhur.

Prokurori Avdiu: Ngjarja makabër që tronditi opinionin do të vërtetohet

Gjithashtu, në cilësinë e dëshmitarëve u dëgjuan prindërit e viktimës, të cilët deklaruan se kanë vërejtur frikë dhe ndrojtje.

Rasti që ka tronditur opinionin publik ka ndodhur më 22 gusht 2021.Një 18 vjeçare ishte dërguar pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt.

Bëhej fjalë për Marigona Osmanin, e cila sipas Prokurorisë ishte vrarë mizorisht nga Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu.

Dosja e Prokurorisë

Në aktakuzën e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com tregohet se si kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në banesën e të pandehurit Krivaça, ka bërë që Prokuroria të sigurojë prova të forta për netët para ngjarjes fatale e për mënyrën se si u organizua dhunimi, e më pas vrasja e 18-vjeçares.

Sipas konstatimit të Prokurorisë, në korridor të banesës së të pandehurit ka pasur të vendosur një kamerë sigurie, e cila regjistronte 24 orë e që ka xhiruar edhe momente të ngjarjes.

“Regjistrimi ka kohën e saktë, kamera ka pamje nga dera e hyrjes së banesës dhe banjo, e njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së një dhome gjumi, si dhe një dhomë tjetër të cilën e kap vetëm një qosh, kjo e fundit edhe është dhoma ku janë kryer veprat penale”, përshkruhet në aktakuzë.

“Policia ka marr DVR, e njëjta është dërguar për ekzaminim, ku janë tërhequr pamjet për periudhën kohore prej shtatëdhjetë e dy orë dhe atë nga data 19.08.2021 ora 00:05 deri më 23.08.2021 ora 00:18”, përshkruan aktakuza e Prokurorisë, e cila detajon edhe kohën e saktë dhe veprimet e dy të pandehurve brenda banesës.

Në aktakuzë theksohet se Prokuroria e ka konsideruar videon të besueshme dhe ngjarja është regjistruar prej datës 19 gusht 2021.

“Ne e konsiderojmë videon të besueshme dhe të saktë, videoregjistrimet tregojnë se në fillim, konkretisht, më 19.08.2021, raportet në mes të pandehurit Dardan Krivaça dhe të ndjerës kanë qenë të mira, këto raporte fillojnë të përkeqësohen kur aty paraqitet i pandehuri Arbër Sejdiu, i cili vije në orën 16:18, së bashku me Dardanin, ku me vete ka një çantë me rroba, në orën 19:02, të pandehurit bisedojnë lidhur me kamerat, si dhe shikojnë se cilat pjesë të korridorit i kap kamera ku lëvizin në pjesë të ndryshme për të verifikuar se cilat pjesë të korridorit i kap kamera dhe vërehet se rolin apo fjalën kryesore për këtë e ka Arbër Sejdiu, në orën 19:56, Arbëri merr rrobat e tij dhe del nga banesa së bashku me Dardanin”, shkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Prokurori në aktakuzën e përpiluar, ka përshkruar se si është organizuar dhunimi e më pas vrasja e Marigona Osmanit.

“Më 21.08.2021, ora 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate deri sa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë, 04:52, dalin nga banesa, 09:53, i pandehuri Dardan Krivaça dhe e ndjera Marigona Osmani, kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë, 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit, 10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09, kur dalin i pandehuri është zhveshur, dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit, 13:43, i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57”, përshkruhet në aktakuzë.

Prokuroria e Ferizajt ka ngritur aktakuzë me datë 28.06.2022 ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut të dyshuar për vrasjen mizore të Marigona Osmanit.

Raportimet e KALLXO.com për këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.